Një ngjarje tronditëse është zbuluar në zonën e Kypselit, në Athinë, ku policia ka gjetur trupin e pajetë të një foshnjeje të fshehur brenda një valixheje.
Ngjarja nisi pas një denoncimi të bërë nga pronari i një apartamenti të dhënë me qira përmes Airbnb. Sipas denoncimit, personat që kishin marrë apartamentin me qira nuk po largoheshin nga banesa dhe nuk kishin paguar shumën e parashikuar. Pronari pretendoi gjithashtu se në apartament po konsumohej drogë.
Në momentin që në zonë po patrullonin efektivë të skuadrës DIAS, pronari i ndaloi dhe u kërkoi të ndërhynin në apartament. Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, në banesë ndodheshin një shtetas me origjinë greke, vajza e tij 15-vjeçare dhe një shtetas afgan.
Në apartament u gjetën gjithashtu dy të mitur dhe bashkëshortja gjermane e pronarit, e cila kishte bërë denoncimin në polici.
Efektivët morën nga banesa dy valixhe dhe i dërguan në komisariat. Gjatë kontrollit të tyre, policët u përballën me një skenë makabre; brenda njërës prej valixheve, u gjet trupi i pajetë i një foshnjeje.
Gjatë marrjes në pyetje, gruaja gjermane dyshohet se u tha policëve se foshnja ishte e saj dhe se e kishte humbur rreth tetë muaj më parë.
Rrethanat e sakta të vdekjes dhe mënyra se si trupi ishte ruajtur dhe fshehur mbeten ende për t’u sqaruar.
Ndërkohë, sipas të njëjtave raportime, 15-vjeçarja që ndodhej në apartament është shtatzënë. Babai i fëmijës, sipas informacioneve paraprake, dyshohet se është shtetasi afgan që ndodhej në banesë.
Për ngjarjen ka nisur një hetim paraprak, ndërsa është njoftuar edhe prokuroria. Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.


