Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë përbën pjesë të një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike, e cila, sipas tij, lidhet me synimet hegjemoniste të Beogradit në rajon dhe veçanërisht ndaj Kosovës.
“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjërimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës”, ka theksuar Kurti në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila po mbahet në Prishtinë me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.
Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, Kurti tha se ndikimi i Rusisë në rajon dhe zhvillimet në Serbi kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë.
Kurti tha se retorika e liderëve serbë dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon.
Ai theksoi se Kosova, përballë këtyre zhvillimeve, është përcaktuar për forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë dhe thellimin e partneriteteve ndërkombëtare.
“Për Kosovën, kjo nënkupton vazhdimësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë që ndajnë të njëjtat vlera dhe që mbeten të përkushtuar për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Kurti.
Sipas tij, partneriteti me NATO-n dhe programet e bashkëpunimit dypalësh janë ndër shtyllat kryesore për konsolidimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.
“Prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon mbeten faktor kyç për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit rajonit. Roli ynë diplomatik merr një rëndësi të veçantë në këtë periudhë, jo vetëm për të mbrojtur interesat tona kombëtare, por edhe për të prezantuar një Kosovë të zhvilluar e prosperuese, të besueshme dhe të gatshme të kontribuojë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët rajonal, evropian e ndërkombëtar”, shtoi Kurti.
Ai përmendi edhe marrëveshjen trilaterale ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, marrëveshjet dypalëshe me SHBA-në, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtete të tjera, si dhe misionet e përbashkëta me ushtritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Folkland.
Kryeministri në detyrë foli edhe për zhvillimet në politikën e jashtme, duke thënë se gjatë vitit 2025 Kosova ka marrë njohje të reja nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, siç tha, duke i dhënë momentum një procesi që për disa vite kishte ngecur përtej mundësive tona.
“Pasaportat e Kosovës janë fuqizuar dukshëm dhe sivjet, në 2026, radhitet në vendin e 57-të, krahasuar me vendin e 108-të në vitin 2021. Kemi shënuar përparim të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, duke çuar tutje procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe duke aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht kemi siguruar anëtarësim në 15 organizata të huaja, duke zgjeruar integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, tha ai.


