Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu kërkoi vlerësimin e përparimit të Kosovës në raport me anëtarësimin në BE konform kritereve të kërkuara dhe jo pengesave që hasen nga shteti fqinj.
Në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë, me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, Haxhiu në raportet me Serbinë kërkoi drejtësi për sulmin terrorist në Bansjkë, zbardhjen e fatit të të zhdukurve, hapjen e arkivave dhe ndaljen e deklaratave shoviniste.
“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin me bomba në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeteroristit Milan Radojiçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, potencoi ajo.
Ajo kërkoi nga diplomatët komunikim të vazhdueshëm me institucionet, për gërmimet që po realizohen në Subotand, në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
“Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat e familjet e tyre ende pret përgjigje. Prandaj duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hapë arkivat”, tha ajo.
Haxhiu përmendi edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se duhet ndryshuar rrjedha e lumit Ibër. Ajo tha se idetë e tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar.
“Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Një tjetër shqetësim serioz që duhet ta adresojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngaqë do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë”, vazhdoi u.d. presidentja.


