Kryetari i LVV-së, Albin Kurti foli pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kurti refuzoi të propozoi emër për kryeparlamentar teksa këtë tha se e bëri për shkak se pa marrëveshje politike vendi do të shkonte në zgjedhje të reja parlamentare.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje politike që do garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për presidentin e Republikës pashmangshëm do na çonte te zgjedhjet e reja të përsëritura të paarsyeshme, të panevojshme dhe të dëmshme. Insistimi ynë i drejtë dhe i dobishëm është që të ulemi të bisedojmë të merremi vesh dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje si kryetar i LVV-së me liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin të formojmë Qeverinë dhe të zgjedhim presidentin apo presidenten e re. Nuk ka kuptim të mos bëjmë marrëveshje, në këto orët e fundit unë kam pasur takim dhe kam shkruar letra që ftojnë për takim, kam shkruar mesazhe telefonike për t’u takuar me liderë të partive politike dhe nuk besoj që përpjekjet t’i shpallim të dështuara, sepse kështu e kërkon kushtetutshmëria dhe kësisoj pret populli i Kosovës prej nesh”, tha ai.


