Kryeministri polak Donald Tusk tha sot se Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur ambasadorin rus pasi një raketë goditi territorin polak një ditë më parë, transmeton Anadolu.
“Sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë thirri ambasadorin rus në lidhje me raketën që goditi dje territorin polak”, shkroi Tusk në platformën sociale amerikane X.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, pretendoi se dy avionë luftarakë polakë F-16 interceptuan një avion zbulues rus Il-20 mbi Detin Baltik, në veri të qytetit bregdetar Kolobrzeg.
Ai tha se avioni rus mbeti në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe nuk hyri në territorin polak.
“Një tjetër interceptim i suksesshëm i një avioni rus mbi Detin Baltik”, shkroi Kosiniak-Kamysz në X.
“Edhe një herë, avioni po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa plan fluturimi dhe me transponderin e fikur. Nuk pati shkelje të hapësirës sonë ajrore”, shtoi ai.
Interceptimi ndodhi një ditë pasi një raketë lundruese hyri në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi të gjerë rus ndaj Ukrainës perëndimore dhe u rrëzua pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, rreth 80 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
NATO, Polonia dhe vende të tjera evropiane, e kanë akuzuar Rusinë për këtë shkelje ndërsa Moska ende nuk ka komentuar lidhur me rastin.









