Në njërin nga stacionet e autobusëve në qendër të qytetit, numri i njerëzve që atë ditë planifikojnë të kthehen në shtëpi me autobus po rritet ngadalë. Dielli i qershorit “përcëllon”, ndërsa erë nuk ka, ose nuk ndihet nga asfalti i nxehtë. Disa qytetarë mbajnë me vete shishe me ujë, ndërsa disa zonja të moshuara kanë freskore dhe përpiqen me to ta ulin nervozën nga moti i nxehtë dhe pritja e gjatë. Pothuajse të gjithë shikojnë telefonat. Njëra nga gratë pyet pse autobusi i saj nuk ka ardhur, kur në aplikacionin e NQP-së i shkruan se arrin për 5 minuta, shkruan kolegium.mk, përcjell PressOnline.al.
“Mos u mbështetni në atë që shkruan në aplikacionin mobil”, i thotë një zotëri gruas.
“Aplikacionet nuk janë të sakta, shpeshherë nuk janë të sakta as ekranet në stacione. Do të presësh dhe ndoshta do ta presësh”, thotë ai.
Vend për t’u ulur nuk ka për të gjithë, ndërsa nuk ka as hije për t’u mbrojtur nga rrezet e forta të diellit.
“Prej vitesh e njëjta histori. Asgjë nuk ndryshon për mirë. Shpesh më ndodh që në aplikacion të shkruajë se po vjen numri im i autobusit, pastaj papritur zhduket, ndërsa ti pret dhe mendon se edhe pak minuta do ta shoh autobusin tim”, thotë shkupjanja Dançe Ilieva për kolegium.mk, përcjell PressOnline.al.
“Autobusët vonohen gjatë gjithë vitit, ndërsa mund ta imagjinoj si do të jetë këtë verë, kur nxënësit janë në pushim dhe njerëzit shfrytëzojnë pushimet vjetore. Është vërtet bingo të të vijë me kohë autobusi numër 3, ose të vijë shpejt tjetri nëse e ke humbur të mëparshmin”, thotë gjimnazisti Viktor, i cili jeton në Vodno.
NQP paralajmëron optimizim të resurseve gjatë periudhës së verës
Edhe nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik Shkup i konfirmojnë këto dilema. Ata thonë se gjatë periudhës së verës, në përputhje me praktikën e zakonshme dhe analizat për numrin e udhëtarëve, bëhen disa përshtatje të orarit të qarkullimit.
“Kjo mund të përfshijë reduktimin e disa nisjeve të veçanta në linjat ku është vërejtur frekuencë e ulur e udhëtarëve. Të gjitha ndryshimet bëhen me qëllim shfrytëzimin optimal të resurseve në dispozicion dhe publikohen me kohë për opinionin”, thonë nga NQP për Kolegjium.mk, përcjell PressOnline.al.
Megjithatë, prej atje shtojnë se, pavarësisht periudhës së shfrytëzimit të pushimeve vjetore, vazhdimisht kujdesen për sigurimin e një numri të mjaftueshëm shoferësh përmes planifikimit dhe organizimit përkatës të procesit të punës.
Në autobusë si në sauna
Dhe pikërisht kur mendoni se nervozat përfundojnë sapo të vijë autobusi juaj, streset e reja fillojnë kur të hipni në të, thotë e revoltuar një shkupjane.
Autobusi në të cilin hipëm bashkë me të ishte i stërmbushur. Nuk kishte asnjë vend të lirë për t’u ulur, ndërsa edhe ata që qëndronin në këmbë ishin të ngjeshur njëri pas tjetrit. Por ajo që nuk mund t’ju lërë indiferent është temperatura e lartë brenda, sepse nuk ishte e ndezur ftohja.
“Shofer, ndeze klimën, do të mbytemi”, i bërtiti njëra nga udhëtaret shoferit.
Nuk pati përgjigje. Nuk e kuptuam nëse autobusi kishte apo jo klimë funksionale, por nga NQP sigurojnë se klimatizuesit ndizen rregullisht ose riparohen në rast të defekteve eventuale.
“Në autobusët që disponojnë me klimatizim, pajisjet e klimës rregullisht vihen në funksion gjatë periudhës së verës. Njëkohësisht, shërbimet teknike në vazhdimësi e ndjekin gjendjen e tyre dhe veprojnë pas defekteve të paraqitura eventuale, me qëllim që udhëtarëve t’u sigurohen kushte sa më të mira për transport”, thonë nga NQP.
Pritet tenderi i ri për autobusë
Tenderi për furnizimin me autobusë të rinj elektrikë ende nuk është shpallur, konfirmojnë nga Ministria e Transportit, edhe pse ishte paralajmëruar një tender i ri në fillim të qershorit. I mëparshmi, për furnizimin e 150 autobusëve elektrikë dhe 75 karikuesve, u shpall në shkurt të këtij viti, por shumë shpejt më pas u anulua nga Komisioni i Shkallës së Dytë sipas detyrës zyrtare.
Nga Qyteti i Shkupit paralajmëruan procedurë të re, ndërsa kryetari i qytetit, Orce Georgievski, kërkoi durim nga qytetarët, sepse, siç tha, “nuk ka shkop magjik” për ta zgjidhur menjëherë problemin me transportin publik. Pritjet e tij janë që shkupjanët autobusët e parë t’i marrin pas disa muajsh.
Zgjidhja e problemit me transportin urban, i cili përveç autobusëve të parregullt përfshin edhe flotë të vjetër, defekte të shpeshta dhe mungesë karburanti, gjë që shkakton ndërprerje në qarkullim dhe pakënaqësi te qytetarët, është një nga premtimet zgjedhore të çdo kryetari të Qytetit të Shkupit. Por rrallëkush nga qytetarët është optimist se ky problem do të mbetet në histori.
“Nuk i besoj askujt, të gjithë gënjejnë. Vijnë në funksion dhe brenda natës harrojnë çfarë kanë thënë. Ata nuk udhëtojnë me autobusë, nuk mund ta kuptojnë se ka njerëz të moshuar që nuk kanë mënyrë tjetër si të shkojnë te mjeku amë për receta, nëse nuk ka autobusë të rregullt”, thotë pensionisti Trajko.
Hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) nga shkurti i vitit 2026 tregoi se autobusët e NQP Shkup janë më të vjetër se kurrë më parë – me moshë mesatare prej 13,3 vjetësh, ndërsa një pjesë e tyre janë të vjetër edhe mbi 30 vjet. Vetëm 10 për qind e flotës i plotëson standardet më të larta ekologjike, Euro 6. Nga 341 autobusë me të cilët disponon kjo ndërmarrje, në baza ditore janë teknikisht në gjendje të rregullt vetëm 185, ose 40 për qind më pak se numri i autobusëve të rregullt në vitin 2015. Por edhe nga ata që janë të rregullt, jo të gjithë qarkullojnë, përkatësisht në funksion lëshohen 157 autobusë në të gjitha linjat urbane dhe periferike.
Përveç kësaj, ndjeshëm është ulur edhe numri i udhëtarëve të transportuar. Nëse në vitin 2015 transportoheshin nga 52 milionë udhëtarë në vit, tani numri i udhëtarëve të transportuar është 22 milionë në vit. (PressOnline.al)







