Në vend që shtylla e dytë pensionale ta përmirësonte të gjithë sistemin pensional, ajo tani është bërë pjesë e përplasjeve politike mes pushtetit dhe opozitës.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në podkastin “Ku janë paratë”, tha se shfrytëzuesit e shtyllës së dytë pensionale mund të mbeten të zhgënjyer, ndërsa lideri i opozitës, Venko Filipçe, vlerësoi se si deklaratat, ashtu edhe politikat e Qeverisë aktuale po u shkaktojnë dëm qindra mijëra pensionistëve dhe po e rrisin edhe më shumë gropën në Fondin Pensional, përcjell PressOnline.al.
Filipçe pretendon se para ndryshimit të pushtetit para dy vitesh, gropa financiare ishte 30 për qind e nevojave të Fondit për pagesën e pensioneve, ndërsa tani deficiti është rritur sërish në 40 për qind.
“Mickoski në vitin 2024 thoshte se sistemi pensional është stabil dhe se gropa në Fondin për Sigurim Pensional do të ekzistojë derisa shtylla e dytë të fillojë të paguajë pensione në masë më të madhe, ndërsa tani thotë se nuk e di çfarë do të sjellin rezultatet nga pagesat në shtyllën e dytë pensionale. Qytetarët që i paguajnë paratë atje janë në pasiguri të madhe dhe shtrohet pyetja nëse kryeministri ka për qëllim që përmes mekanizmave shtetërorë të ndërhyjë në atë buxhet, ku njerëzit paguajnë që të kenë mjaftueshëm para për ditët dhe vitet e pensionit, dhe në këtë mënyrë t’i dëmtojë ata”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Nga Fondi Pensional thonë se, për shkak të rritjes historikisht më të madhe të pensioneve, janë rritur edhe detyrimet ndaj Fondit të Shëndetësisë dhe ndaj shtyllës së dytë pensionale. PIOM reagoi pas publikimit të raportit të revizionit, në të cilin janë konstatuar parregullsi dhe lëshime.
Drejtori Nikolla Memov, në reagimin e tij, pretendon se parregullsitë kanë të bëjnë me periudhën e vitit 2024, kur në krye të Fondit ishte një menaxhment tjetër, i emëruar nga opozita e tanishme. Megjithatë, sipas Memovit, gjatë dy viteve të fundit tashmë janë mënjanuar dobësitë në sistemin e furnizimeve publike dhe po ndërmerren aktivitete për përmirësimin e gjendjes së Fondit, i cili peshon qindra milionë euro. (PressOnline.al)







