Sofja distancohet nga skandali: Sipas MPJ-së bullgare, dokumenti ka të bëjë me të kaluarën e largët

featured
Press Online
25 Qershor 2026, 09:58

Nota diplomatike për të cilën reagoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka të bëjë me “ngjarje nga e kaluara e largët”, reagoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë lidhur me skandalin e publikimit të një note të besueshme për udhëtimin e djalit dhe bashkëshortes së Hristijan Mickoskit, të cilët kishin vizituar Pamporovon, përcjell PressOnline.al.

Sofja zyrtare gjithashtu pretendon se nuk ka shpërndarë notë me informacione për anëtarë të familjes.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka shpërndarë notë diplomatike apo korrespondencë tjetër zyrtare lidhur me vizitën në Bullgari të anëtarëve të familjes së një përfaqësuesi zyrtar të një vendi tjetër. Informacionet që po qarkullojnë në opinion ditëve të fundit kanë të bëjnë me një notë verbale të datës 6 janar 2026 dhe u referohen ngjarjeve nga e kaluara e largët. Për momentin, ky informacion nuk mund të merret si bazë për përfundime se ekziston kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Bullgarisë apo të ndonjë vendi tjetër. Ministria e Punëve të Jashtme i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së korrespondencës diplomatike dhe i respekton rreptësisht rregullat”, thuhet në kumtesën e MPJ-së bullgare, përcjell PressOnline.al.

Reagimi vjen pasi ambasadori bullgar në Maqedoni dje u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë. Pala maqedonase kërkoi hetim të plotë se si udhëtimi i familjes së kryeministrit përfundoi në opinion. Më herët, kryeministri Mickoski deklaroi se për këtë dokument e ka njoftuar edhe NATO-n, pasi, siç thotë ai, me të rrezikohet siguria e familjes së tij.

Bëhet fjalë për një shkresë nga Ambasada e Maqedonisë në Bullgari drejtuar MPJ-së bullgare, në të cilën, ndër të tjera, ka detaje për sigurimin e familjes së Mickoskit, emrat e pjesëtarëve të sigurimit, automjetet me të cilat udhëtojnë, pajisjet e komunikimit që përdorin, llojin e armatimit që mbajnë me vete dhe të dhëna të tjera. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter