Shteti ka vlerësuar se duhet t’i paguajë dëmshpërblim prej gati 700.000 eurosh kompanisë “Ango”, pasi vitin e kaluar ia mori parcelën pranë Kuvendit, ku kompania për një dekadë jo vetëm që nuk arriti të ndërtojë garazh, por praktikisht as nuk e nisi ndërtimin.
Në këtë përfundim arrihet nga informacioni që Avokatura e Shtetit këtë javë e ndau me BIRN-in, i cili bazohet në një ekspertizë profesionale. Në pyetjen e BIRN-it nëse Ministria e Financave i ka paguar paratë, siç e kishte paraparë Qeveria të zhvillohej procedura, prej atje thonë se “lënda është ende në procedurë”, përcjell PressOnline.al.
“Ango” pagoi pak më shumë se 330.000 euro për parcelën në vitin 2013, pasi fitoi në ankandin publik, ndërsa tani do të marrë më shumë se dyfishin. Diferenca deri në 700.000 euro, që duhet t’i paguhet kompanisë, përveç investimit fillestar për blerjen e parcelës, duhet t’i mbulojë edhe shpenzimet e tjera që kompania i ka pasur në përpjekjen për ta ndërtuar garazhin, siç janë paratë për komunalitë, elaboratet, projektet dhe tatimet.
Në këtë tokë për vite me radhë nuk është punuar asgjë, ndërsa ndërkohë Komuna Qendër, në territorin e së cilës ndodhet parcela, disa herë u përpoq në rrugë gjyqësore ta heqë lejen e ndërtimit dhe ta prishë marrëveshjen e shitblerjes. Betejat ligjore “Ango” i fitoi, duke pasur pranë vetes si avokat Pançe Toshkovskin, njeriun që tani e udhëheq policinë.
Toshkovski më herët për BIRN-in konfirmoi se është mik dhe fqinj, në të njëjtën ndërtesë, me familjen Trpkovski, e cila qëndron pas kompanisë, por këmbënguli se gjithmonë është përjashtuar nga vendimmarrja shtetërore lidhur me parcelën.
Shteti u përfshi në zgjidhjen e sagës dhjetëvjeçare me garazhin pasi në vjeshtën e vitit 2024 “Ango” e rrethoi parcelën dhe nxori makineritë, vetëm disa javë para se të skadonte afati dhjetëvjeçar për përfundimin e ndërtimit.
Atëherë qeveria e re, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, si argument për dëmshpërblim e pranoi edhe atë që për më shumë se një dekadë autoritetet e injoruan me këmbëngulje, e që është potenciali serioz që garazhi të paraqiste rrezik sigurie për deputetët.
Vitin e kaluar u miratua një ligj i posaçëm që duhet ta garantojë sigurinë e Kuvendit dhe në të u përfshi mekanizmi me të cilin shteti do ta marrë parcelën prej rreth 2.500 metrash katrorë dhe në mënyrë përkatëse do ta dëmshpërblejë kompaninë. Më pas Qeveria i dha detyrë Ministrisë së Financave ta paguajë “Ango”-n, pasi Avokatura e Shtetit, institucion detyra e të cilit është të mbrojë interesat e shtetit, të bëjë vlerësimin se sa para duhet t’i kthehen kompanisë.
Vlerësimi është përfunduar dhe i është dërguar Ministrisë së Financave që në mars të këtij viti, ndërsa toka tashmë është në pronësi shtetërore.
Ndërkohë, në nëntor të vitit 2024, menjëherë pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit në pushtet, pronarja e “Ango”-s, Ankica Trpkovska, u zgjodh anëtare e Komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), institucioni shtetëror që rregullon sektorin e telekomunikimeve.
Në seancën parlamentare për të votuan 61 deputetë të shumicës qeverisëse.
Trpkovska nuk është e punësuar në AKE. Ajo duhet të marrë pjesë në seancat e Komisionit, i cili në njëfarë mënyre funksionon si bord drejtues, miraton raporte dhe programe vjetore, ndjek realizimin e tyre dhe shkarkon e zgjedh drejtorin.
Për këtë angazhim do të marrë kompensim mujor në vlerë prej katër pagash mesatare, përkatësisht rreth 2.700 euro.
Familja Trpkovski dhe kompania “Ango” zakonisht përmbahen nga komentet dhe kështu ndodhi edhe këtë herë. (PressOnline.al)


