Agjencia e pagave luksoze: Mesatarja kalon 2.700 euro, fondi për rroga rritet me 16%

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 11:05

Të punësuarit në Agjencinë e Aviacionit Civil, ose AAC, janë ndër më të “vlerësuarit” në institucionet shtetërore dhe këtë e themi për shkak të faktit se paga mesatare në këtë institucion vitin e kaluar ka arritur mbi 2.700 euro. Gjegjësisht, raporti të cilin Agjencia e Aviacionit Civil ua ka dorëzuar deputetëve tregon se gjatë vitit të kaluar – 2025, në këtë institucion kanë qenë të punësuar 85 persona, ndërsa për paga dhe shpenzime të tjera për të punësuarit janë shpenzuar 173.801.847 denarë, përcjell PressOnline.al.

Kjo do të thotë se për paga vitin e kaluar AAC ka ndarë 2,82 milionë euro, dhe kjo është sërish një shumë e re më e lartë që ky institucion e shpenzon për paga.

Shpenzimi për paga gjatë vitit të kaluar është rritur për 16,42 për qind krahasuar me vitin 2024. Për krahasim, AAC për paga në vitin 2024 kishte shpenzuar 2,38 milionë euro, ose 146.850.120 denarë, shumë që ishte më e lartë se një vit më parë për 21,4 milionë denarë.

Në shumën e përmendur që institucioni e shpenzon për paga përfshihen edhe shpenzimet e tjera për pagat e të punësuarve, që do të thotë se aty hyjnë edhe kontributet për sigurim social dhe shëndetësor. Kjo nënkupton se paga neto është disi më e ulët, por gjithsesi është shumë mbi mesataren në Maqedoni. Më saktë, paga mujore neto, nëse ndahet në mënyrë të barabartë mes të gjithë të punësuarve, arrin në 111.508 denarë.

Megjithatë, duke pasur parasysh se si kudo ekziston ndarje hierarkike e vendeve të punës, pagat për personat në pozita udhëheqëse janë më të larta, ndërsa më të ulëta për ata në pozita më të ulëta.

“Shpenzimet e përgjithshme për funksionimin e Agjencisë së Aviacionit Civil në vitin 2025, në shumën prej 276.647.603,00 denarë, janë në funksion të realizimit të përcaktimeve programore, përmbushjes së vizionit dhe qëllimeve të punës, duke pasur parasysh njëkohësisht obligimet që Agjencia i ka në raport me organizatat ndërkombëtare. Në shpenzimet e përgjithshme janë përfshirë shpenzimet nga puna në shumën prej 265.246.875,00 denarë, si dhe shpenzimet për furnizimin e mjeteve materiale në shumën prej 10.562.173,00 denarë”, thuhet në raportin që ndodhet para deputetëve, përcjell PressOnline.al.

Shpenzimet për paga dhe shpenzimet e tjera për të punësuarit janë zëri më i madh në shpenzimet e AAC-së dhe ato arrijnë deri në 65,85 për qind.

Agjencia e Aviacionit Civil është në pronësi të shtetit, përkatësisht themelues i saj është Kuvendi, i cili ka ndikim në procesin e vendimmarrjes dhe kontroll mbi punën e Agjencisë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve lidhen me rregullimin e aviacionit civil, ndërsa në këtë drejtim aktivitetet janë të lidhura me EUROCONTROL, ICAO, M-NAV dhe TAV MAQEDONIA, si koncesionar i aeroporteve në Maqedoni.

Në këtë agjenci numri i përgjithshëm i të punësuarve arrin në 85 punëtorë, ndërsa prej tyre numri më i madh janë me arsim të lartë profesional me 240 kredi, gjithsej 53 të punësuar. Ka 17 magjistra, 11 punëtorë me arsim të mesëm profesional, 3 doktorë shkencash dhe një person me arsim të lartë profesional me 180 kredi. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter