Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për shpifje lidhur me aksidentin fatal në autostradë, duke thënë se pretendimet se ngjarja është shkaktuar nga rrëshqitja e dheut janë të pavërteta.
Basha tha se Rama ka bërë dy deklarime të pasakta dhe se po tenton ta politizojë një tragjedi njerëzore.
“S’kemi pasur përplasje, ka pasur shpifje prej kryetarit Rama. Dy shpifje radhazi. E para ka qenë se aksidentin, ka dashur me ia vesh dheut në autostradë. Siç e dini, aty rruga ka qenë e pastruar, nuk ka ardhur si pasojë e dheut. Prandaj është shpifja e parë. Dhe shpifja e dytë e tij, Rama, gjithashtu është diçka që është e papranueshme, kur mundohet me politizu me tragjedinë në rrugë”, tha ai.
Sipas Bashës, familja e viktimës duhet të lihet e qetë dhe rasti nuk duhet të përdoret për qëllime politike.
“Kjo është e papranueshme. Duhet me i lënë të ndjerin dhe familjen e tij të qetë. Me i uru ngushëllime, po s’ka qenë si pasojë e dheut në autostradë. Prandaj, unë refuzoj, unë s’kam reagu për shkak se duhet me prit raportin e policisë, që pastaj ajo tregon të gjithë të vërtetën. Por këto politizimet me vdekjet në rrugë është e papranueshme për gjithkënd. Nuk mundemi me u marrë me njerëzit e vdekur në rrugë edhe pastaj me i politizu ato. Këtë e bën kryetari, është i paskrupullt, por nuk është që pres më mirë prej tij”, tha Basha./EO







