Kapacitetet e kufizuara mbeten sfidë për Gjykatën Supreme

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 11:21

Nuk ka vërejtje për punën financiare të Gjykatës Supreme, por revizorët paralajmërojnë për mungesë kuadri, pasiguri rreth procedurave gjyqësore në vazhdim dhe financim kronikisht të pamjaftueshëm të pushtetit gjyqësor. Enti Shtetëror i Revizionit nuk ka konstatuar parregullsi në raportet financiare dhe në përputhshmërinë e punës së instancës më të lartë gjyqësore për vitin 2024, përcjell PressOnline.al.

“Shprehëm mendim pa rezervë në lidhje me vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare, si dhe për përputhshmërinë e transaksioneve financiare me rregullativën përkatëse ligjore për vitin 2024”, thonë revizorët.

Megjithatë, ata theksojnë disa çështje që mund të kenë ndikim në punën e gjykatës. Mes tyre janë procedurat gjyqësore në të cilat është i përfshirë Gjykata Supreme, ndërsa epilogu i tyre ende nuk dihet. Për këtë arsye, mbetet e pasigurt nëse në të ardhmen do të ketë pasoja financiare mbi buxhetin e Gjykatës Supreme.

Revizorët po ashtu vënë në dukje edhe problemet kadrovike. Që nga shtatori i vitit 2023, Gjykata Supreme funksionon pa administrator gjyqësor, ndërsa edhe pse Ministria e Drejtësisë që në vitin 2020 ka miratuar formularë për vlerësimin e nëpunësve gjyqësorë, ata nuk e përfshijnë policinë gjyqësore dhe administratorin gjyqësor, përcjell PressOnline.al.

Në veçanti është theksuar edhe problemi kronik me financimin e gjyqësorit. Sipas raportit të revizionit, për pushtetin gjyqësor në vitin 2024 janë siguruar 2,65 miliardë denarë, që përfaqëson vetëm 0,3 për qind të BPV-së, shumë më pak se 0,8 për qind e paraparë me ligj.

Në pjesën e dobësive sistemore, revizorët theksojnë se ende nuk ka dispozita të përshtatshme ligjore për përcaktimin e pagave të të punësuarve në gjykata që kryejnë punë teknike dhe ndihmëse.

Kjo nuk është revizioni i parë i Gjykatës Supreme. Në raportin për vitin 2019 ishte shprehur mendim me rezervë për përputhshmërinë me ligjet dhe rregulloret. Kontrolli i mëvonshëm i zbatimit të rekomandimeve kishte treguar se nga shtatë rekomandime të dhëna, katër ishin realizuar plotësisht, një ishte zbatuar pjesërisht, ndërsa dy kishin mbetur të parealizuara.

Për draft-raportin e revizorëve nuk janë dorëzuar vërejtje nga ana e Gjykatës Supreme. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter