Lufta në Ukrainë e riktheu çështjen e zgjerimit në krye të agjendës së BE-së. Ndërsa Brukseli sinjalizon se Mali i Zi mund të bëhet anëtarja e ardhshme, në Union vazhdojnë të ekzistojnë ndarje të thella. Disa vende insistojnë se fillimisht BE-ja duhet të reformohet. Në tryezë janë shumë propozime, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.
“Zgjerimi është prioritet për BE-në dhe nëse kandidatët tanë përmbushin atë që kërkohet prej tyre, atëherë edhe ne duhet ta mbajmë premtimin tonë”, deklaroi eurokomisionerja për zgjerim, Marta Kos, në prag të takimit të ministrave të jashtëm të Unionit.
Si dëshmi se BE-ja po kalon nga fjalët në vepra, Kos theksoi se për herë të parë pas 17 vitesh është formuar një grup pune për hartimin e marrëveshjes së anëtarësimit – kësaj radhe me Malin e Zi.
“Nuk ka sinjal më të qartë se BE-ja e sheh Malin e Zi si anëtaren e saj të ardhshme”, deklaroi për DW Strahinja Subotiq, studiues në Qendrën për Politika Evropiane (CEP) në Beograd. “Në shembullin e Malit të Zi, Unioni po tregon se zgjerimi nuk është vetëm retorikë”, shton ai.
Së pari reforma, pastaj zgjerimi?
Invazioni rus në Ukrainë e riktheu zgjerimin në qendër të politikës evropiane. Për shumë shtete anëtare, çështja e eurointegrimeve u bë kyçe në diskutimet për sigurinë dhe pozitën ndërkombëtare të Unionit.
“Nevoja gjeopolitike për zgjerim njihet nga të gjitha shtetet anëtare”, thotë për DW Steven Blockmans, studiues në think-tankun me ndikim Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) me seli në Bruksel. Por ai shton se debatet për zgjerimin janë bërë të pandashme nga debatet për reformat e vetë BE-së, çështje për të cilën vendet anëtare mbeten të ndara.
Blockmans vëren se disa vende janë tradicionalisht më skeptike ndaj zgjerimit, veçanërisht Franca, e cila prej kohësh këmbëngul se fillimisht BE-ja duhet të reformojë sistemin e saj të qeverisjes dhe vendimmarrjes para se të pranojë anëtarë të rinj. Nga ana tjetër, vendet e krahut lindor të BE-së mbështesin anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa përkrahësit e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor konsiderojnë se rajoni ka pritur tepër gjatë “në paradhomën e BE-së”.

Modele të reja në tryezë
Ndërsa BE-ja përpiqet të balancojë mes urgjencës gjeopolitike dhe skepticizmit të brendshëm, në Bruksel po diskutohet gjithnjë e më shumë nëse modeli tradicional i zgjerimit është ende i qëndrueshëm. Eurokomisionerja Kos pranon se BE-ja ende përdor metodologji të zhvilluar para katër dekadash dhe se në tryezë janë propozime për reforma.
“Me shtetet anëtare tani po diskutojmë nëse parimet e integrimit gradual, të cilat aktualisht i përdorim kryesisht në fushën e tregut të përbashkët, mund të zgjerohen edhe në fusha të tjera, veçanërisht në siguri”, deklaroi Kos.
Ideja për “anëtarësim fazor” ose “integrim gradual” nënkupton që vendet kandidate gradualisht të fitojnë qasje në politikat, fondet dhe institucionet e BE-së para anëtarësimit të plotë.
“Ideja lindi nga frustrimi për mungesën e progresit në procesin e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Steven Blockmans, një nga autorët e propozimit. “Propozimet bazohen në idenë që vendet të marrin përfitime konkrete më herët gjatë procesit, në këmbim të reformave”, shpjegon ai.
Këto ide tashmë janë bërë pjesë e rrjedhave kryesore të debatit, edhe pse ndonjëherë mbeten në hije nga ide shumë më ambicioze, kujton Blockmans. Ndër to është propozimi për të ashtuquajturin “zgjerim i kundërt”, i mbështetur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe pjesë të Komisionit Evropian, sipas të cilit vende si Ukraina fillimisht do të anëtarësoheshin formalisht në BE dhe vetëm më pas do t’i përfundonin reformat. Por shtetet anëtare e hodhën shpejt poshtë këtë ide.

Vetoja nuk është më tabu
Ndër propozimet kontroverse që aktualisht qarkullojnë në Bruksel është ideja për kufizim të përkohshëm të të drejtës së vetos për anëtarët e rinj. Propozimi, i zhvilluar nga Qendra për Politika Evropiane me seli në Beograd, menjëherë hasi në kritika se në këtë mënyrë krijohen anëtarë të rendit të dytë.
Njëri nga autorët e propozimit, Strahinja Subotiq, për DW thotë se qëllimi i tij është qetësimi i venE madhee anëtare skeptike, të cilat frikësohen se zgjerimi mund ta paralizojë BE-në. “Frikësoheshim se lodhja nga zgjerimi mund të çonte në situatë ku BE-ja nuk do të ishte më e gatshme të pranonte më shumë se një ose dy kandidatë”, thotë Subotiq dhe shton se “skenari më i keq do të ishte që një vend t’i zbatojë të gjitha reformat, por dyert e BE-së megjithatë të mbeten të mbyllura”.
Ai konsideron se kufizimet mund të jenë kohore dhe përmbajtësore: “Mund të vlejnë vetëm për një ose dy fusha dhe jo domosdoshmërisht në të njëjtën mënyrë apo me të njëjtën kohëzgjatje për secilin vend kandidat”, thotë Subotiq.
Blockmans vlerëson se juridikisht një mekanizëm i tillë mund të përfshihet në marrëveshjet para-anëtarësuese. Politikisht, megjithatë, çështja mbetet shumë e ndjeshme, pasi lidhet me sovranitetin dhe të drejtat e barabarta të venE madhee anëtare, shton ai.
Disa vende të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë sinjalizuar gatishmëri për një model të tillë. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia kanë deklaruar se do të pranonin kufizime të përkohshme të të drejtës së vetos nëse kjo do ta përshpejtonte anëtarësimin.
Mali i Zi si test
Mali i Zi nuk dëshiron vonesa apo marrëveshje kalimtare. Analistët konsiderojnë se ai me gjasë do të jetë vendi i fundit që do të hyjë në BE sipas rregullave aktuale dhe para reformave më serioze institucionale të Unionit.
Steven Blockmans dhe Strahinja Subotiq mendojnë se anëtarësimi i Malit të Zi mund të shërbejë si test për mekanizmat e rinj për të cilët sot po diskutohet në Bruksel.
Subotiq pret që BE-ja përmes marrëveshjes së anëtarësimit për Malin e Zi të vendosë mekanizma më të fortë mbikëqyrjeje sesa në raundet e mëparshme të zgjerimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe prapakthimin demokratik. “Mund të pritet që Mali i Zi të bëhet një lloj laboratori testues për kufijtë e marrëveshjeve kalimtare dhe klauzolave mbrojtëse”, mendon edhe Blockmans.
Ai shton se marrëveshja e anëtarësimit, e cila është në përgatitje, mund të bëhet model për zgjerimet e ardhshme. Sepse, ndërsa Brukseli po shkruan rregullat për hyrjen e Malit të Zi, në fakt po përgatitet për një sfidë shumë më të madhe:
“Debati kryesor sot zhvillohet në fakt për anëtarësimin e Ukrainës”, përfundon Blockmans. “Bëhet fjalë për një vend në luftë dhe për një shtet të madh që do të kishte ndikim të madh në mënyrën se si qeveriset BE-ja, në shpërndarjen e fonE madhee evropiane, por edhe në pozitën e të gjitha venE madhee të tjera kandidate”, thotë ai.



