Ish-anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Goran Trpenovski, në debatin në emisionin “Top Tema” vlerësoi se protestat aktuale mund të shihen si një “valvul shkarkimi”, por edhe si pjesë e përllogaritjeve më të gjera politike që lidhen me zgjedhje të mundshme të parakohshme, përcjell PressOnline.al.
Ai konsideron se tema të ndryshme në opinion po hapen me qëllim që të krijohen kushte politike për një proces zgjedhor dhe të ndikohet elektorati.
“Thelbi i protestave është një valvul shkarkimi ose paralajmërim për zgjedhje të parakohshme. Tani çdo moment dhe çdo arsye po përdoret për të ulur tensionet dhe për të krijuar kushte për zgjedhje të parakohshme. Situata ekonomike momentalisht nuk është aspak e mirë. Tani duhet të kthehen 3 miliardë borxhe, ndërsa u hap edhe çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës. Prandaj partitë filluan ta shtyjnë këtë çështje për shkak të zgjedhjeve të parakohshme. Ata mendojnë se në këtë mënyrë do të ndikojnë te elektorati dhe do të fitojnë pikë politike”, deklaroi Trpenovski.
Ai shtoi se çështje të tilla nuk duhet të politizohen, por të zgjidhen përmes dialogut institucional dhe në nivel ekspertësh.
“A do ta përmirësojë ky ligj cilësinë e arsimit? Nëse kanë vullnet të mirë, mund ta bëjnë këtë. Mblidhni profesorët e së drejtës kushtetuese bashkë me institucionet kompetente, merrni Kushtetutën dhe ligjin, uluni dhe diskutoni nëse ka bazë apo jo. Nëse ka, në rregull; nëse nuk ka, përsëri të gjendet zgjidhje dhe të mos politizohet kjo çështje”, tha ai.
Sipas tij, diskursi publik, në vend që të fokusohet te problemet ekonomike dhe sociale, po rikthehet te temat politike që nuk sjellin përparim.



