Elodie duket se ka vendosur të mos e fshehë më jetën e saj private, pasi një postim i fundit në rrjetet sociale ka ndezur menjëherë reagimet e fansave dhe mediave rozë.
Gjatë pushimeve të saj në Japoni, këngëtarja italiane publikoi disa momente nga udhëtimi, por ajo që mori gjithë vëmendjen ishte një foto intime me balerinën shqiptare Françeska Nuredini.
Në imazhin që po qarkullon me shpejtësi në rrjet, dyshja shfaqet duke shkëmbyer një puthje pasionante dhe duke u përqafuar, një detaj që shumë ndjekës e interpretuan si konfirmimin publik të lidhjes së tyre.

Prej muajsh, Elodie dhe Françeska janë përfolur për një romancë, pasi janë parë shpesh së bashku në udhëtime dhe dalje të ndryshme, nga Venecia deri në Ibiza. Megjithatë, kjo është hera e parë që vetë këngëtarja ndan një moment kaq personal me publikun.
Udhëtimi në Japoni duket se ka qenë një eksperiencë e veçantë për çiftin, pasi ato kanë ndarë edhe pamje nga ceremonitë tradicionale të çajit dhe vizitat në tempuj historikë.
Françeska Nuredini, 24 vjeç, është pjesë e trupës së valltarëve të Elodies dhe e ka shoqëruar artisten në turnetë e saj të fundit muzikore.
Në një intervistë të mëparshme, balerina shqiptare kishte folur me shumë admirim për bashkëpunimin me Elodie, duke e cilësuar si një eksperiencë të rëndësishme jo vetëm në aspektin profesional, por edhe personal, një deklaratë që tani po shihet ndryshe nga fansat.



