Gjurmë të rralla të pluhurit të yjeve janë zbuluar në akujt e Antarktidës, duke ofruar prova të reja për udhëtimin e Tokës nëpër hapësirë gjatë dhjetëra mijëra viteve të fundit.
Shkencëtarët kanë gjetur izotopin e rrallë ”hekur-60” në mostra akulli që datojnë nga 40-80 000 vjet më parë.
”Hekuri-60” është një izotop që formohet vetëm në kushte ekstreme, si shpërthimet e supernovave. Gjurmët e tij u zbuluan në kampionet e mbledhura nga projekti europian për shpimin e akullit në Antarktidë, i njohur si ”Epica”.
Studimi është publikuar në revistën shkencore ”Physical Review Letters”.
Sipas studiuesve, zbulimi tregon se mjedisi ndëryjor pranë Sistemit Diellor ka ndryshuar vazhdimisht gjatë 80 000 viteve të fundit.
Akulli i Antarktidës funksionon si një kapsulë kohore duke ruajtur shtresë pas shtrese informacione mbi historinë e Tokës dhe të hapësirës përreth saj.
Në vitin 2019, një ekip i udhëhequr nga astrofizikani Dominik Koll kishte zbuluar izotope të ngjashme që lidhen me kalimin e Tokës nëpër një re ndëryjore të krijuar nga mbetjet e supernovave.
Për studimin e ri, shkencëtarët analizuan 295 kilogramë akull antarktik për të kërkuar atome të tjera të ”hekurit-60”.
“Ky izotop ka një gjysmëjetë prej vetëm 2,6 milionë vitesh, ndaj çdo sasi e krijuar gjatë formimit të Tokës do të ishte zhdukur prej kohësh. Kjo do të thotë se gjurmët që gjejmë vijnë nga hapësira”, shpjegoi Koll.
Studiuesit besojnë se kjo re mund të ketë mbuluar Tokën me një shi shumë të dobët grimcash të ”hekurit-60”.
Analizat treguan gjithashtu se përqendrimi i ”hekurit-60” në akullin e lashtë është më i ulët se ai në borën e dekadave të fundit, çka sugjeron se rajoni hapësinor ku ndodhej më parë
Sistemi Diellor ishte më pak i dendur se ai aktual.
Shkencëtarët e krahasojnë akullin antarktik me një “regjistër fluturimi” të udhëtimit të Tokës nëpër re ndëryjore.



