Shkencëtarët që studiuan biologjinë e Maria Branyas Morera, gruas që jetoi deri në moshën 117-vjeçare, arritën në përfundimin se plakja dhe sëmundjet nuk ecin gjithmonë bashkë. Një studim i ri, i publikuar në Cell Reports Medicine, analizoi gjakun, pështymën, urinën dhe mikrobiomën e zorrëve të saj përmes një metode të avancuar “multiomics”, duke ekzaminuar gjenet, metabolizmin dhe bakteret e trupit.
Studiuesit nga Josep Carreras Leukemia Research Institute zbuluan se qelizat e saj silleshin sikur i përkisnin një personi shumë më të ri. Edhe pse jetëgjatësia mesatare e grave në Katalonjë është rreth 86 vjet, ajo jetoi mbi tri dekada më shumë, pa u prekur nga sëmundje të rënda si kanceri apo demenca deri në fund të jetës.
Një nga zbulimet më interesante kishte të bënte me moshën biologjike. Përmes “orëve epigjenetike”, shkencëtarët zbuluan se indet e saj dukeshin biologjikisht 10 deri në 30 vjet më të reja se mosha reale. Edhe ADN-ja e saj tregonte karakteristika të një organizmi shumë më të ri, gjë që mund të shpjegojë gjendjen e mirë fizike dhe mendore që ruajti për vite me radhë.
Vëmendje të veçantë mori edhe mikrobioma e zorrëve. Në organizmin e saj u gjetën nivele të larta të bakterit Bifidobacterium, i cili zakonisht zvogëlohet me kalimin e moshës dhe lidhet me inflamacion më të ulët në trup. Dieta e saj ishte e ngjashme me dietën mesdhetare: shumë perime, bishtajore, vaj ulliri dhe pak peshk. Ajo konsumonte gjithashtu rreth tre kosë në ditë, të pasur me baktere të dobishme për shëndetin e zorrëve.
Shkencëtarët vunë re se ajo nuk pinte duhan apo alkool, ecte çdo ditë dhe mbetej aktive shoqërisht. Ajo kalonte kohë në natyrë dhe kujdesej për kopshtin dhe kafshët shtëpiake. Sipas studiuesve, gjenet luajnë rol të rëndësishëm në jetëgjatësi, por mënyra e jetesës, ushqimi, aktiviteti fizik dhe marrëdhëniet sociale ndikojnë po aq në shëndetin dhe cilësinë e jetës gjatë plakjes.
/vizionplus.tv



