Ish-avokati i shtetit, tani avokat, Fehmi Stafa, ka pranuar fajësinë për marrje ryshfeti dhe është marrë vesh me Prokurorinë për të vuajtur një dënim me burg prej një viti e tre muajsh, mëson „Skopje1“.
Sipas aktgjykimit, ai nuk e ka kontestuar aktakuzën se në periudhën nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar gjithsej 50.000 euro për të ndërmjetësuar dhe shfrytëzuar ndikimin e tij te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Shkup. Qëllimi ishte që gjyqtari të ndërmerrte një veprim zyrtar që nuk duhej të kryhej, përkatësisht të ndryshonte ose të shfuqizonte një masë në lëndën kundër biznesmenit Ljupço Pecov – „Djalli“.
Në opinion tashmë është bërë e ditur se Stafa, përmes gjyqtarit Gjoko Ristov, duhej të siguronte shfuqizimin e paraburgimit për Pecovin. Ristov, nga ana tjetër, është gjyqtar i dyshuar në një rast tjetër, pasi në shtëpinë e prindërve të tij u gjetën rreth 350.000 euro të fshehura në mur. Jozyrtarisht, Stafa po bashkëpunon me Prokurorinë për zbardhjen e rasteve të tjera të korrupsionit të lartë në drejtësi.
Prokuroria ka vërtetuar se Stafa fillimisht ka kërkuar 100.000 euro, ndërsa në disa raste ka pranuar pjesë të shumës, duke arritur gjithsej 50.000 euro.
Një pjesë e parave u dorëzuan pas një marrëveshjeje paraprake me MPB-në, pas së cilës Stafa u kap në vendngjarje dhe u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Pas shpalljes së aktgjykimit, ai pritet të transferohet nga burgu i Kumanovës në burgun e Shkupit në Shutkë për vuajtje të dënimit. Personi për të cilin Stafa duhej të ndërhynte është i dyshuari në rastin „Sinxhir“, Ljupço Pecov, ku Stafa shërbente edhe si avokat i tij, duke kërkuar paraprakisht zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe duke ofruar garanci.



