Gjuha zyrtare në të gjithë territorin e shtetit është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik – deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendit, duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare nga Skender Rexhepi i Frontit Evropian lidhur me përdorimin e gjuhëve dhe përfaqësimin e drejtë, informon PressOnline.al
Në seancën e sotme kushtuar pyetjeve parlamentare, Rexhepi kërkoi nga kryeministri të shpjegojë, siç tha, “pse Qeveria, në kohë krize ekonomike dhe politike, çdo ditë hap tema etnike”. Ai gjithashtu kërkoi sqarim nëse ministrat e qeverisë kanë nevojë për përkthyes, duke pasur parasysh se, sipas tij, “deputetët nuk kanë detyrim ta dinë gjuhën maqedonase nëse e dinë gjuhën shqipe”.
Kryeministri Mickoski në përgjigjen e tij theksoi se Ligji për përfaqësim të drejtë së shpejti do të paraqitet para deputetëve, pasi, siç tha, ka kaluar të gjitha procedurat institucionale dhe ka marrë mendimin e Komisionit të Venecias.
“Ligji është kushtetues, dhe jo antikushtetues, siç koalicioni juaj për 20 vite i ka mashtruar maqedonasit”, theksoi Mickoski.
Në lidhje me çështjen e njohjes së gjuhës maqedonase, kryeministri përsëriti se Kushtetuta e përcakton gjuhën maqedonase si zyrtare në të gjithë territorin, ndërsa gjuha shqipe dhe gjuhët e tjera përdoren në përputhje me dispozitat për vetëqeverisje lokale.
“Mua nuk më pengon gjuha shqipe, as turqishtja, serbishtja, anglishtja – asnjë gjuhë në botë nuk më pengon dhe nuk do të më pengojë. Por, nëse e lexoni Kushtetutën, sipas saj, gjuha zyrtare është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik. Kemi plotësim në pjesën për njësitë e vetëqeverisjes lokale”, tha kryeministri.
Ai u ndal edhe te rasti i fundit publik me një pyetje gazetareske drejtuar ministres Vesna Janevska, duke e vlerësuar paraqitjen e gazetarit si të papërshtatshme.
Askush nuk është kundër që të përdorni gjuhën shqipe, mund të flisni në cilëndo gjuhë që dëshironi, por duhet të dihet se gjuha zyrtare në këtë shtet është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik, si dhe për përdorim ndërkombëtar – theksoi ai.


