Me vendim të Gjykatës Themelore në Tetovë, u pranua kërkesa e Arben Taarvarit për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e partisë në Regjistrin Gjyqësor të partive politike. Sipas këtij vendimi, vulat e Aleancës për Shqiptarët tani ndodhen në duart e Taarvarit, shkruan PressOnline.al
Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taarvari, fitoi betejën ligjore për drejtimin e partisë dhe paralajmëroi se çdo grup që do të identifikohet me emrin e partisë do të përballet me pasoja ligjore. Mesazhi i Taarvarit ishte drejtuar ish-anëtarit të partisë, Zijadin Sela, me të cilin dy vitet e fundit zhvilluan një betejë ligjore mbi pronësinë dhe drejtimin e Aleancës për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, Sela deklaroi se nuk dorëzohet dhe do ta vazhdojë luftën për Aleancën në Gjykatën e Apelit.
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë, u regjistrua Statuti i miratuar në Kongresin e II-të të partisë, mbajtur më 27.03.2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të IV-të të Jashtëzakonshëm, mbajtur më 16.02.2024 në Shkup, duke shfuqizuar Statutin e miratuar në Kongresin e III-të të Jashtëzakonshëm më 24.12.2022.
“Gjithashtu, gjykata i hodhi poshtë si të pabazuara kërkesat e Zijadin Selës lidhur me ndryshimin e kryetarit të partisë dhe ndryshimet statutore. Ky vendim përbën një konfirmim të qartë ligjor për legjitimitetin e drejtuesve të Aleancës për Shqiptarët dhe të drejtën e tyre për përfaqësim institucional. Theksojmë se çdo grup që vepron në emër të Aleancës për Shqiptarët, duke shkelur këtë vendim gjyqësor, do të përballet me pasojat ligjore përkatëse,” njoftoi Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Taarvari.
Nga partia theksojnë se do të vazhdojnë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe vullnetin e anëtarësisë dhe mbeten të përkushtuar ndaj reformave dhe përfaqësimit dinjitoz të qytetarëve.
“Pavarësisht vendimeve ligjore, e vërteta që kam thënë gjithmonë mbetet e pandryshuar. Partitë nuk janë pronë personale. Ato nuk i përkasin individëve, por njerëzve që çdo ditë ndërtojnë, kontribuojnë dhe i mbajnë gjallë. Aleanca për Shqiptarët i përket aktivistëve që sakrifikuan, mbështetësve që besuan dhe qytetarëve që votuan. Aleanca i përket shqiptarëve”, shkroi Taarvari në një postim në Facebook, përcjell PressOnline.al
Nga ana tjetër, krahu i Zijadin Selës shpreh se vendimi i gjykatës vetëm konfirmon atë që ata kanë thënë gjithmonë: “Taarvari është shërbëtor i këtij sistemi të kapur, që vepron kundër shqiptarëve dhe kundër Aleancës për Shqiptarët.”
“E kemi udhëhequr betejën gjyqësore të bindur për të drejtat tona statutore dhe ligjore, por gjithmonë duke qenë të vetëdijshëm se përballemi me një sistem dhe shërbëtor të këtij sistemi. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që ky proces zgjati mbi dy vjet, që rasti u kthye dy herë dhe u shqyrtua tre herë në Gjykatën Themelore, precedent ky që nuk është parë më parë? Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që Gjykata e Tetovës po vepron kundër vendimit të saj të mëparshëm dhe kjo ndryshohet pikërisht tani kur Arben Taarvari nuk ka as gjysmën e anëtarëve dhe delegatëve që kishte në fillim të procesit? Ai nuk kishte shumicën atëherë, dhe sot nuk ka as gjysmën e pakicës që kishte atëherë.”
Sipas krahit të Selës, vendimi i gjykatës ka natyrë politike dhe përbën një përpjekje për të goditur një parti shqiptare që ka qenë një faktor kryesor në skenën politike të vendit dhe një mbrojtës i fuqishëm i kauzës kombëtare shqiptare.
“Tani do të vijë hapi i fundit i gjithë këtij skenari, siç paralajmëroi shërbëtori i këtij sistemi, ri-brendimi dhe zhdukja e emrit të shtrenjtë dhe të pastër të Aleancës për Shqiptarët. Por ne nuk dorëzohemi. Sot jemi më të motivuar se kurrë për të vazhduar betejën tonë, për shqiptarët dhe me shqiptarët. Do të ankimojmë këtë vendim në Gjykatën e Apelit dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të mbrojtur shtëpinë tonë.”



