Kuvendi ka zgjedhur Nenad Saveski si kryeprokuror të ri të shtetit, me 66 vota pro, 8 abstenime dhe 2 kundër, informon PressOnline.al
Gjatë debatit parlamentar, deputetët në përgjithësi nuk shprehën vërejtje për biografinë profesionale të Saveskit, por theksuan problemet në sistemin juridiko-gjyqësor, duke akuzuar se një numër i madh i lëndëve mbeten të pazgjidhura dhe “mbahen në sirtarë”.
Saveski vjen nga Gjykata Penale e Shkupit, ku ka punuar në repartin për krim të organizuar dhe korrupsion, një nga sektorët më të ndjeshëm të drejtësisë në vend.
Kandidatura e tij erdhi pas dorëheqjes së Lupço Kocevskit, ndërsa ishte propozuar nga Qeveria si kandidati më i përshtatshëm për këtë post.
Zgjedhja e Saveskit vjen në një moment kur sistemi i drejtësisë përballet me kritika të vazhdueshme për efikasitetin dhe transparencën, ndërsa pritet që ai të adresojë sfidat kryesore në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.







