Dr. Gurakuç Kuçi, nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin “Universum International College” (UIC), ka deklaruar për portalin PressOnline.al se ndikimi rus në Ballkan është më i thellë dhe më aktiv se sa mendojnë shumë njerëz.
“Shumë ende duan ta besojnë se Rusia është shumë larg për të pasur ndikim real në Ballkan, apo se është shumë e zënë me Ukrainën për t’u marrë me ne. Kjo është narrativa e butë që njerëzit përdorin për qetësi dhe që propaganda e ka ushqyer me shembuj absurdë, si pretendimet se Putini paska prejardhje shqiptare. Por realiteti është krejt tjetër,” tha Kuçi për PressOnline.al
Ai theksoi se Serbia është porta kryesore e Moskës në rajon.
“Rusia nuk po kërkon të hyjë në Ballkan, ajo ka vite që është brenda. Qendra ‘humanitare’ në Nish nuk është ndihmë humanitare, por bazë operative për inteligjencë dhe logjistikë. Përmes Serbisë dhe Republikës Srpska, Moska ka shtrirë ndikim të thellë në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut: manipulim zgjedhor, ndërhyrje në institucione, përdorim të fesë si armë politike dhe fonde të maskuara si projekte kulturore. Prapa nuk ka mbetur as Shqipëria nga ndërhyrjet ekonomike,” shtoi ai në deklaratën për PressOnline.al
Duke folur për situatën në Kosovë, Kuçi tha: “Shumë mendojnë se tensionet në Kosovë janë vetëm konflikte të vjetra etnike. E vërteta është tjetër: aty ka strukturë, organizim dhe agjendë. Nga mbështetja për Listën Serbe deri te elementët e lidhur me Wagner që u panë në trazirat në veri dhe dhunën kundër KFOR-it, gazetarëve e policëve të Kosovës, dhe ky është operacion, jo spontanitet.”
Sipas Kuçit, Kremlini ka arritur të paraqesë Serbinë si vend “neutral” për Perëndimin, duke i hapur vetes derën për ndërhyrje të lira në zona strategjike.
Ai shtoi: “Sot debati në rajon nuk është më mbi ndikimin ruso-serb, por mbi ndasitë dhe konfliktet tona të brendshme, pikërisht efekti që Rusia kërkon. Përçarja është terreni i saj ideal.”
Pjesa më e rrezikshme, sipas tij, është se strategjia funksionon vetëm kur shoqëritë ndahen.
“Sa më e fragmentuar shoqëria, aq më lehtë futen ata. Kështu që, ndërsa shumica flasin për ‘rrezik potencial’, unë po them hapur: Ballkani është sot një skenë aktive e operacioneve ruse dhe serbe.” (PressOnline.al)



