Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte minimizoi sot në Bukuresht pasojat për Aleancën, me rastin e tërheqjes së disa trupave amerikane të vendosura në Rumani, të njoftuar javën e kaluar.
“Unë me të vërtetë mendoj se po e ekzagjerojmë pak”, u tha ai gazetarëve, krah presidentit rumun Nicusor Dan.
“Këto rregullime ndodhin gjatë gjithë kohës”, shtoi ai.
“Dhe edhe pas lajmit të njoftuar të mërkurën e kaluar, prania e forcave amerikane në Evropë mbetet më e madhe se sa ka qenë për shumë vite. Ka ende shumë më tepër forca amerikane në kontinent sesa para vitit 2022”, shpjegoi Rutte.
Shtetet e Bashkuara njoftuan një javë më parë një reduktim të pranisë së tyre ushtarake në frontin lindor të Evropës.
Sipas statistikave më të fundit në dispozicion, 1 700 ushtarë amerikanë janë aktualisht të vendosur në Rumani, dhe midis 900 dhe 1 000 do të mbeten pas kësaj përshtatjeje.
Prej disa vitesh, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të riorientojnë prioritetet e tyre strategjike drejt Azisë, duke përfshirë edhe zvogëlimin e pranisë së tyre në Evropë.
Kthimi i Donald Trump në pushtet në janar vetëm sa e theksoi këtë tendence.
Rreth 85 000 ushtarë amerikanë janë të vendosur në Evropë.







