Tragjedi në Indi, zjarri në një qendër tregtare u merr jetën të paktën 15 personave, shumica studentë (VIDEO)

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 08:50

Të paktën 15 persona humbën jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që shpërtheu të hënën në mëngjes në një qendë tregtare në qytetin Lucknow, në veri të Indisë. Sipas autoriteteve, shumica e viktimave ishin studentë.

Zjarri ra në zonën e Aliganj, në një godinë ku në katet e poshtme funksiononin një dyqan kafshësh shtëpiake dhe një klinikë veterinare, ndërsa në katet e sipërme ndodheshin një qendër studentore dhe një studio animacioni.

Zëvendëskryeministri i Uttar Pradesh, Brajesh Pathak, deklaroi se 14 trupa u nxorën nga vendi i ngjarjes, ndërsa më vonë bilanci i viktimave arriti në të paktën 15 persona. Autoritetet njoftuan gjithashtu se të paktën 10 persona u shpëtuan dhe u transportuan në spital për trajtim mjekësor.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe hetimet janë në vijim.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente dramatike, ku persona të bllokuar përpiqen të shpëtojnë duke dalë nga dritaret e thyera të ndërtesës. Një burrë shihet duke rënë nga një prej kateve teksa përpiqej të largohej nga flakët. Sipas mediave lokale, ai ka mbijetuar dhe po merr trajtim në spital.

Zjarrfikësit, të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje, u detyruan të hapnin një hyrje alternative duke shembur një mur të pasmë të ndërtesës, pasi tymi i dendur po pengonte operacionet e shpëtimit. Ekipet përdorën gjithashtu ventilatorë të fuqishëm për të larguar tymin, ndërsa kontrollonin dhomat dhe ambientet e tjera për të gjetur të mbijetuar.

Një prej punonjësve të studios së animacionit, Mohammad Asin, tregoi se stafi sapo ishte kthyer nga pushimi i drekës kur u njoftua për zjarrin.

“Fillimisht menduam se ishte një zjarr i vogël. Kur u përpoqëm të largoheshim, tymi kishte mbushur dhomat dhe korridoret”, tha ai, duke përshkruar momentet e panikut brenda ndërtesës.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter