Rexhepi: Seanca e Komisionit për ASK-në nuk u anulua, por nuk u mbajt sepse ishte caktuar në kundërshtim me Rregulloren

featured
Press Online
05 Shtator 2025, 14:18

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Zbulimit dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Skender Rexhepi, deklaroi sot se seanca e paraparë nuk është nuk është anuluar, por e njejta nuk është mbajtur pasi ishte thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, përcjell PressOnline.al.

“Sot për pak sa nuk u bëmë dëshmitarë të një skandali të ri nga ana e kryetarit të Kuvendit, i cili, duke dashur të imitojë Qeverinë që çdo ditë shkel Kushtetutën dhe ligjet, deshi të thërrasë një seancë pa u bërë paraprakisht kërkesë deri tek unë si kryetar i Komisionit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare,” tha Rexhepi në një konferencë për media.

Ai theksoi se sipas nenit 126 të Rregullores, seancat e trupave punues i thërret kryetari i trupit dhe këtë mund ta bëjë vetëm me kërkesë të kryetarit të Kuvendit ose të një të tretës së anëtarëve të komisionit, duke dorëzuar edhe materialin përkatës për rendin e ditës. Sipas tij, një kërkesë e tillë nuk i është dorëzuar as dje e as sot.

“Prandaj seanca e sotme nuk ishte anuluar, por nuk u mbajt sepse ishte në kundërshtim me Rregulloren. Seancë do të thërras unë vetëm kur për këtë do të ketë kërkesë ligjore. Është për të ardhur keq që jemi bërë shtet banane, ku të gjithë përgjojnë dhe të gjithë e dinë këtë. Unë nuk do të bëhem pjesë e një skandali të tillë,” tha Rexhepi, duke shtuar se do të veprojë vetëm sipas Rregullores.

Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse do të mbahej seanca e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, do të ngrinte kallëzim penal ndaj tij. “Kam të drejtë të plotë të paraqes kallëzim penal dhe këtë ia kam përcjellë përmes koordinatorit tonë. Për këtë arsye, sot ai u detyrua të mos e mbajë seancën,” theksoi Rexhepi.

Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit ende nuk ka një reagim zyrtar për mosmbajtjen e seancës së komisionit.

Në rend dite të seancës së anuluar ishte vetëm një pikë: propozim-konkluzioni për ushtrimin e mbikëqyrjes mbi punën e ASK-së në lidhje me akuzat për përgjime në periudhën 2019–2024.
(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter