Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas njoftimit, procesi i numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar të mërkurën në orën 14:30, pasi janë numëruar të gjitha 223 kutitë e votimit që përmbanin zarfet me fletëvotime të aprovuara nga shërbimi votues i KQZ-së.
Numërimi i votave me postë kishte nisur më 12 qershor, ndërsa votimi përmes postës ishte zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026. Për këtë formë votimi ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës.
Më herët, KQZ kishte përmbyllur edhe procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora. Nga gjithsej 85,790 pako të pranuara, 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.
Rezultatet e përditësuara janë publikuar në platformën zyrtare të KQZ-së.







