Zëri i gazetarisë së lirë nuk mund të heshtet – solidaritet me Naser Selmanin

featured
Press Online
03 Shtator 2025, 19:25

Nëse dikush mendon se me shpimin e gomave të veturës së një gazetari do ta ndalë fjalën e lirë, ai jo vetëm që gabon, por tregon fytyrën më të shëmtuar të frikës prej të vërtetës. Sulmi ndaj Naser Selmanit nuk është akt i izoluar vandalësh anonim – është mesazh i errët për gjithë shoqërinë: të heshtë, të mos guxojë, të mos flasë. Por ky mesazh nuk do të kalojë.

Portali PressOnline.al reagon me ashpërsi ndaj të gjithë atyre që mendojnë se mund të frikësojnë gazetarinë kritike ose të ndikojnë në lirinë e medias. Është e papranueshme që në vitin 2025, dikush të mendojë se mund të ndalë një gazetar me dhunë fizike apo kërcënime. Kjo nuk është thjesht një shkelje ligjore, por një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe institucioneve shtetërore.

Institucionet, veçanërisht Ministria e Brendshme dhe organet e drejtësisë, duhet të veprojnë menjëherë. Çdo vonesë, heshtje ose mbulim i rastit është bashkëfajësi dhe provë se shteti nuk ka guxim të mbrojë qytetarët e vet dhe lirinë e medias. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe kushdo që tenton të frikësojë gazetarët duhet të marrë përgjegjësinë e plotë ligjore.

Gazetarët nuk janë vetëm individë – ata janë gardianë të shoqërisë, syri dhe veshi i publikut. Portali PressOnline.al qëndron fuqishëm krah Naser Selmanit dhe çdo gazetari që guxon të thotë të vërtetën. Sulmet e tilla nuk do të tolerohen dhe nuk do të kalojnë pa përgjigje. Zëri i gazetarisë së lirë nuk mund të heshtet dhe askush nuk do të lejohet të vendosë frikën mbi demokracinë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter