Raporti i Bankës Botërore, sipas të cilit Maqedonia ka rritjen më të lartë në udhëtimet ajrore dhe turizmin në Evropë dhe Azinë Qendrore, është motiv për një punë akoma më të madhe, potencoi sot në statusin e tij në Fejsbuk, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Nikolloski theksoi se vendi po shënon statistika rekord në rritjen e turizmit përmes trafikut ajror në kushte krize globale, duke theksuar se ky është një sukses i jashtëzakonshëm që është njohur nga Banka Botërore.
“Suksesi dhe rritja e trafikut ajror në Maqedoni është vërejtur në analizën e Bankës Botërore për rritjen e turizmit. Me një rritje prej 40 për qind në vit, Maqedonia njihet si shembulli më i mirë i një vendi me rritjen më të lartë të mbërritjeve të udhëtarëve në Evropë dhe Azinë Qendrore”, deklaroi Nikolloski.
Me masën për subvencionimin e linjave të reja ajrore dhe sukseset që po arrijmë, thekson ai, Maqedonia pozicionohet në krye në tërheqjen e turistëve të rinj dhe nxitjen e ekonomisë përmes turizmit.
“Këto suksese konfirmohen edhe nga puna e aeroportit të Ohrit, ku vetëm për një ditë u shërbyen mbi tre mijë udhëtarë, një rekord, që është një sukses i madh për një aeroport të këtij lloji. Do të vazhdojmë në periudhën e ardhshme me edhe më shumë investime në trafikun ajror dhe turizëm”, shkroi ministri i Transportit në postim.



