A do të na djegin edhe këtë dimër faturat e rrymës?

featured
Press Online
26 Gusht 2025, 15:12

Dimrin e kaluar qytetarët merrnin fatura jashtëzakonisht të larta të rrymës, madje deri në 300 për qind. Ata kërkonin ndihmë nga EVN, nga Komisioni Rregullator dhe nga Avokati i Popullit. Për këtë arsye, faturat e rrymës u bënë edhe temë e akuzave politike mes pushtetit dhe opozitës

Shkup, 26 gusht – Me një iniciativë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Deniz Mustafaoglu nga bashkësia Inxhinierët kërkon që gjykatësit ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “faturave paushall” – ato që nuk bazohen në vlerat reale të matura nga matësit e energjisë elektrike. Gjykata Kushtetuese ka formuar lëndë. Nga EVN thonë se rregullisht janë lexuar 95 për qind e matësve. Nga fillimi i vitit 2025 deri më 20 gusht në KRRE kanë arritur 770 ankesa për faturat e rrymës, gati nëntë herë më shumë se vitin e kaluar.

Gjykata Kushtetuese ka formuar lëndë pas iniciativës për rishqyrtimin e faturave paushall të energjisë elektrike, të cilën më 18 gusht e dorëzoi Deniz Mustafaoglu, anëtar i bashkësisë joformale “Inxhinierët e Republikës së Maqedonisë”, konfirmuan nga Gjykata Kushtetuese për Radio Evropa e Lirë. Në iniciativë, Mustafaoglu kërkon që gjykatësit ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “faturave paushall”, pra atyre që nuk bazohen në vlerat reale të matura nga matësit e rrymës, por konsumi i energjisë elektrike është i parashikuar ose i vlerësuar. “Në procedurë është proces paraprak, në të cilin shqyrtohen të dhënat dhe njoftimet e nevojshme për sjelljen e një vendimi. Pas përfundimit të procedurës paraprake, lënda do të vendoset në seancë për diskutim dhe vendimmarrje“, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Iniciuesi i kësaj kërkese konsideron se faturat paushall në shumë raste janë më të larta se konsumi real, gjë që sipas tij nënkupton se “EVN Maqedoni realizon fitim shtesë, ndërsa qytetarët pësojnë dëm të drejtpërdrejtë financiar”. “Amvisëri në tërë blloqe banesash në zonën urbane të Shkupit këtë muaj kanë marrë fatura me shenjën ‘M’, që do të thotë se faturat janë përgatitur mbi bazë të një vlere të vlerësuar, e jo mbi bazën e gjendjes reale të matësve të rrymës. Kjo nuk përputhet me deklaratat e përfaqësuesve të EVN të dhëna në seancën përgatitore të Komisionit Rregullator për Energjetikë më 11 prill 2025, ku ata pretenduan se leximet e rregullta kryhen në mbi 90 për qind të rasteve, ndërsa parregullsi mund të ketë vetëm në zona rurale, të largëta ose të papërdorshme”, thotë Mustafaoglu për Radio Evropa e Lirë.

Ai dhe inxhinierë të tjerë kanë bërë analiza të faturave të rrymës së qytetarëve, sepse kanë dyshuar se faturat nuk korrespondojnë me konsumin real. “Vërejtëm disa probleme tipike: te një pjesë e qytetarëve u dërgoheshin fatura paushall në vend të faturave të bazuara në gjendjen reale të matësit. Te të tjerë, barazimi i tërë konsumit bëhej në një ditë ose muaj, gjë që i fuste qytetarët në blloqe tarifore më të larta dhe ndjeshëm ua rrite faturat. Kishte raste kur qytetarëve nuk u ishte mundësuar qasje vizuale te matësi i rrymës, prandaj nuk mund t’i krahasonin numrat me ato në faturë. Kishte dhe raste ku ora e matësit nuk përputhej me kohën reale, periudhat e tarifës së ulët (të lirë) nuk korrespondonin me ato që matësi regjistronte, kështu që qytetarët paguanin më shtrenjtë edhe pse kishin konsumuar në mënyrë ekonomike”, thotë Mustafaoglu.

EVN: NUMRI I MATËSVE TË LEXUAR U RRIT NË 95 PËR QIND

Nga EVN, ndërkaq, thonë se Elektrodistribucioni i lexon rregullisht matësit. Sipas shifrave të tyre, leximet mujore të matësve në tërë vendin janë 85 për qind, ndërsa kjo përqindje është rritur në 95 për qind brenda tre muajve. “Në ato 15 për qind matës të palexuar në nivel mujor hyjnë pajisjet matëse të mbyllura të papërdorshme dhe përdoruesit në disa zona rurale që nuk janë të qasshme gjatë tërë vitit. Ato lexohen me rastin e parë të mundshëm,” thuhet në përgjigjen e EVN për REL.

Sipas kompanisë, kjo kontribuon drejtpërdrejt që numri i korrigjimeve të faturave të jetë i ulët ndër vite. Nga 1 janari 2025 deri tani janë bërë korrigjime për 0.60 për qind të bazës së konsumatorëve, pjesa më e madhe gjatë sezonit të ngrohjes. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë ishin bërë korrigjime për 0.62 për qind të së njëjtës bazë konsumatorësh. Këtë dimër, qytetarët kanë reaguar te Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) dhe kanë kërkuar korrigjim të faturave duke dyshuar se kanë paguar më shumë se sa kanë konsumuar.

Nga fillimi i vitit 2025 deri më 20 gusht në RKE kanë arritur gjithsej 770 ankesa për faturat e energjisë elektrike. Nga ato, gjithsej 264 (34.29 për qind) janë korrigjuar nga EVN Home.
Qytetarët kanë të drejtë të drejtohen te EVN për korrigjimin e faturës. Nëse nuk janë të kënaqur me përgjigjen, stacioni i ardhshëm është Komisioni Rregullator për Energjetikë.
RKE ka miratuar 40 (5.19 për qind) ankesa, sipas shifrave që i morëm nga kompania. “Bëhet fjalë për lëndë të formuara për fatura të energjisë elektrike që tashmë ishin korrigjuar nga operatori i shpërndarjes, por pas analizës së detajuar – KRRE kërkoi korrigjim të ri për të siguruar përputhshmëri të plotë rregullatore me rregullat dhe sistemin tarifor”, thonë nga KRRE.

Më shumë se gjysma (gjithsej 386) e ankesave të pranuara janë refuzuar, sepse është konstatuar se faturat janë përgatitur mbi gjendjen reale të lexuar. Shtatë konsumatorë i kanë tërhequr ankesat, ndërsa për 73 duhet të plotësohet dokumentacioni. Gjatë tërë vitit të kaluar KRRE ka marrë gati nëntë herë më pak ankesa se sa në tetë muajt e parë të vitit 2025 – vetëm 89. Tetë prej tyre janë pranuar.

 ME NDRYSHIMET, MATËSIT DUHET TË LEXOHEN TË PAKTËN NJË HERË NË TREMUJOR

Pas reagimit të qytetarëve dhe numrit të madh të ankesave të konsumatorëve se matësit lexohen paushall dhe faturat janë më të larta, KRRE ka bërë ndryshim të Rregullave për furnizimin me energji elektrike. Ndryshimi është se matësit duhet të lexohen të paktën një herë në tremujor gjatë vitit. Po diskutohet edhe që faturat të shënohen dukshëm me P (parashikuar) ose O (lexuar) – që konsumatorët të kenë pasqyrë nëse fatura është bërë mbi bazë të konsumit real ose të parashikuar.

Dimrin e kaluar qytetarët merrnin fatura jashtëzakonisht të larta të rrymës, madje deri në 300 për qind. Ata kërkonin ndihmë nga EVN, nga Komisioni Rregullator dhe nga Avokati i Popullit. Për këtë arsye, faturat e rrymës u bënë edhe temë e akuzave politike mes pushtetit dhe opozitës. LSDM e akuzoi pushtetin se i ka hequr subvencionet, për shkak të së cilës qytetarët paguajnë fatura më të larta. Grupi parlamentar i socialdemokratëve në shkurt dorëzoi edhe propozim-ndryshime ligjore me të cilat tatimi për energjinë elektrike do të ulej nga 18 në 5 për qind, ndërsa do të hiqej edhe TVSH-ja për produktet ushqimore bazë. Ky propozim nuk mori mbështetje nga pushteti. Deputetë të shumicës qeverisëse e akuzuan opozitën se gjatë qeverisjes së saj ishte rritur çmimi i rrymës, ndërsa tani ai është i qëndrueshëm. (REL)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter