Kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash në zgjedhjet lokale do të kenë nevojë vetëm për dy nënshkrime nga qytetarët për të dorëzuar listën e tyre. Kështu vendosi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në mbledhjen e djeshme, duke miratuar Rregulloren për procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe përcaktimin e noterëve, përcjell PressOnline.al.
Vendimi vjen pasi Kuvendi nuk arriti të ndryshojë Kodin Zgjedhor, i cili parashihte që kandidaturat e pavarura të mbështeteshin me nënshkrime të 0,95% të votuesve të regjistruar në komunë. Ky propozim nuk kaloi për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, deklaroi se personalisht mendon se listat e pavarura duhet të paraqiten pa asnjë nënshkrim, por gjithsesi e mbështeti rregulloren.
“Ky vendim është në interes të procesit zgjedhor dhe mbarëvajtjes së tij. Zgjedhjet tashmë janë shpallur dhe KSHZ nuk ka të drejtë t’i ndalë ose t’i shtyjë veprimet zgjedhore. Meqë Kuvendi nuk arriti ta zgjidhë këtë çështje, ne do të zbatojmë ligjin ashtu siç është,” tha Kondarko.
Mbledhja e nënshkrimeve fillon 10 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve dhe do të zgjasë 15 ditë, gjatë orarit të rregullt të punës në zyrat dhe degët përkatëse të KSHZ-së, nga ora 08:30 deri në 16:30.(PressOnline.al)







