Pas çdo hyrjeje të pastër, korridori të rregulluar dhe ndërtese banesore funksionale, qëndron një biznes që po zhvillohet në hijen e bumit ndërtimor. Mirëmbajtja e higjienës vitin e kaluar ka siguruar punë për më shumë se 3.100 persona dhe ka gjeneruar të ardhura prej gati 47,3 milionë eurosh. Por, ndërsa kompanitë hapin vende të reja pune dhe fitojnë më shumë, pagat në këtë sektor shënojnë rënie, shkruan portali Pari, përcjell PressOnline.al.
Të dhënat e “Biznis Mrezha” për 227 kompani tregojnë se vitin e kaluar në këtë veprimtari janë hapur dhe plotësuar edhe 257 vende të reja pune, ndërsa ndryshimi vjetor është 8,92 për qind. Në të njëjtën kohë, paga mesatare është ulur për 2,22 për qind, përkatësisht është zvogëluar për pak më shumë se 500 denarë, përcjell PressOnline.al.

Te dhjetë punëdhënësit më të mëdhenj punojnë dy të tretat e të punësuarve
Nga analiza e “Pari” mund të vërehet një përqendrim i lartë i fuqisë punëtore. Dhjetë kompanitë me numrin më të madh të të punësuarve angazhojnë gjithsej 2.193 persona. Kjo paraqet pothuajse 70 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në këtë veprimtari.
Krahasuar me vitin paraprak 2024, këto kompani e kanë rritur numrin e kuadrit të nevojshëm për 20,36 për qind, ose për 371 persona.
Me një ekip prej 419 të punësuarish, punëdhënësi më i madh është “Serta”, ndërsa pas saj renditen “Land-servis” me 350 dhe “Hausmajstor fasiliti” me 262 të punësuar. Veçanërisht dallohet kjo e fundit, ku numri i punëtorëve është rritur në mënyrë të shpejtë nga 41 në 262. Rritja përqindore ka arritur në 539 për qind dhe është pa konkurrencë mes kompanive në këtë listë.
Interesant është edhe shembulli i “Tehno kop plus” nga Manastiri. Me 250 të punësuar, kjo kompani menjëherë është renditur ndër punëdhënësit më të mëdhenj në sektor, edhe pse funksionon që nga marsi i vitit 2025.
Në anën tjetër, te disa kompani vërehet ulje më e madhe e numrit të të punësuarve. “Tehno-çist” e ka ulur personelin për 42,91 për qind, ndërsa “Bapal Blagoj” shënon rënien më të madhe prej 46,36 për qind, por duhet theksuar se ky subjekt ndërkohë ka përfunduar në falimentim.

Sa i përket bujarisë së këtyre dhjetë kompanive ndaj punëtorëve të tyre, paga mesatare vitin e kaluar është lëvizur nga 17.365 denarë, te “Tehno kop plus” nga Manastiri, deri në 27.365 denarë, te “Hausmajstor fasiliti” nga Shkupi.
Kompani të vogla – paga të larta
Asnjëra nga kompanitë që dominojnë sipas numrit të të punësuarve nuk gjendet në mesin e dhjetë punëdhënësve më bujarë. Madje, kompanitë e renditura në këtë listë janë thuajse të panjohura edhe sa u përket listave sipas të ardhurave dhe fitimit. Përjashtim bën “Zorba B”, e cila renditet në vendin e tetë sipas të ardhurave, me 1,8 milionë euro, dhe në vendin e pestë sipas fitimit, me 185,7 mijë euro.
Këto dhjetë kompani së bashku punësojnë 62 persona. Pesë prej tyre zyrtarisht kanë vetëm nga një të punësuar.

Në këtë grup bën pjesë edhe “Evroçist Makedonija” nga Mralina, ku vitin e kaluar është paguar paga më e lartë mesatare prej 68.552 denarësh. Pas saj renditen “Xhevahir” me 60.589 denarë, me 13 të punësuar, dhe “Ekodim” me 58.342 denarë, me 9 të punësuar.
Rritjen më të madhe përqindore të pagave e ka “MR klin servis” nga Manastiri. Paga mesatare në këtë kompani është rritur për 206,81 për qind, nga 17.938 në 55.035 denarë. Kjo përkon me përgjysmimin e numrit të të punësuarve: në vitin 2024 kanë qenë dy persona, ndërsa vitin e kaluar ka mbetur vetëm një.
Rritje e lartë e mesatares është shënuar edhe te “Pelisar klin” nga Shtipi, me 181,97 për qind, ku punësimi është ulur nga tre në dy persona, si dhe te “JJ higiena plus”, me 139,05 për qind, kompani që funksionon me vetëm një person.
Duke parë shifrat, në këtë veprimtari më së miri kalojnë kompanitë – vëllimi i punës zgjerohet me çdo ndërtesë të re shumëkatëshe, të ardhurat janë më të larta, ndërsa fitimet rriten. Punëtorët, në pjesën më të madhe, me gjasë ende presin që ndonjë “pastrim gjeneral” t’i arrijë edhe pagat e tyre mujore. (PressOnline.al)








