Të paraburgosur që flenë në dyshekë në dysheme, burg pa ujë të pijshëm, stacione policore pa hapësira për intervistim të fëmijëve, mungesë e kujdesit të duhur shëndetësor… Këto janë vetëm disa nga mangësitë e konstatuara në raportin vjetor të Mekanizmit Nacional Parandalues (MNP), pas të cilit qëndron Zyra e Avokatit të Popullit. Vitin e kaluar, ekipet e Avokatit të Popullit kanë realizuar 13 vizita të paparalajmëruara në burgje, stacione policore dhe në një institucion psikiatrik, raporton Tellma TV, përcjell PressOnline.al.
“Pamjaftueshmëria e kuadrit, burimet e kufizuara materiale, qasja e kufizuar në shërbime shëndetësore, kushtet joadekuate në një pjesë të institucioneve dhe nevoja për trajnim të vazhdueshëm të personelit nuk paraqesin probleme të izoluara të institucioneve të veçanta, por sfida sistematike që kërkojnë përgjigje të koordinuar dhe afatgjatë institucionale”, deklaroi Sonja Trifunovska, zëvendës Avokate e Popullit.
Derisa në burgun më të madh të Maqedonisë, “Idrizovë”, po zgjerohen kapacitetet për të zgjidhur problemin e mbipopullimit, në burgun e Kumanovës “Kshanjë” po krijohet një problem i ri, pasi aty pranohen raste paraburgimi nga Gjykata Penale e Shkupit, edhe pse burgu nuk është kompetent për atë territor. Për të paraburgosurit dhe të dënuarit pothuajse nuk ka ujë të pijshëm, ndërsa të kufizuara janë edhe sasitë e ujit teknik, për shkak të së cilës është konstatuar problem me higjienën.
“Si pasojë e mbipopullimit, në disa hapësira paraburgimi janë hasur dyshekë me shtroja, të vendosur drejtpërdrejt në dysheme, mbi të cilët kanë fjetur persona të paraburgosur. Përveç kësaj, sërish është konstatuar edhe problemi i kahershëm me sigurimin e ujit të pijshëm”, theksoi Trifunovska.
Problem me nyjat sanitare ka edhe në burgun e hapur në Strugë, ndërsa Avokati i Popullit ka vërejtje serioze për planin e institucioneve kompetente që ky burg të ridedikohet për pranimin e grave të dënuara. Ndërkohë, në Ohër, ku dënimin e vuajnë persona të mitur, duhet të punësohen persona profesionalë, pasi me fëmijët punon vetëm një psikolog.
Raporti përfshin edhe katër stacione policore.
“Pothuajse në të gjitha stacionet policore të vizituara është konstatuar mungesë e kuadrit, që paraqet një nga sfidat kryesore për funksionimin e tyre të përditshëm. Përveç kësaj, është vërejtur praktika e rishpërndarjes së nëpunësve policorë në pozita pune dhe detyra për të cilat më parë nuk kanë pasur përvojë pune. Mangësi në stacionet policore është edhe mungesa e hapësirave të veçanta të pajisura për bisedë me fëmijë. Në pjesën më të madhe të stacioneve policore të vizituara, hapësira të tilla nuk ekzistojnë, prandaj bisedat me fëmijë zhvillohen në zyrat e inspektorëve për fëmijë, përkatësisht për delikuencë të të miturve”, shtoi Trifunovska.
Në raport thuhet se institucioni psikiatrik në “Demir Hisar” është nën presion serioz për shkak të mungesës së kuadrit dhe kushteve teknike, dhe për këtë arsye ka probleme me arratisje të pacientëve, ndërsa është regjistruar edhe një vetëvrasje. (PressOnline.al)







