Elfete Ismaili: Qeveria ka dështuar – kriza ekonomike po e rrënon qytetarin

featured
Press Online
15 Korrik 2025, 11:42

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Elfete Ismaili nga Aleanca për Shqiptarët, kritikoi ashpër qeverinë për mungesë të plotë të masave efektive kundër krizës ekonomike që po përkeqëson jetën e qytetarëve.

“Qytetarët po e paguajnë çmimin e dështimit qeveritar. Kriza ekonomike nuk menaxhohet me propagandë, por me politika konkrete – të cilat mungojnë,” tha Ismaili.

Megjithëse inflacioni zyrtar i raportuar për muajin qershor është 4.5%, sipas Ismailit situata në terren është shumë më e rëndë. Ushqimet bazë janë shtrenjtuar me 6.3%, energjia me 2%, ndërsa edhe shërbimet shëndetësore dhe veshmbathja kanë pësuar rritje të konsiderueshme.

“Këto nuk janë thjesht numra në letër. Janë goditje të përditshme ndaj jetesës së qytetarëve, që mezi mbijetojnë,” theksoi ajo, përcjell PressOnline.al

Në kulmin e krizës, qeveria planifikon të shpenzojë 1.8 milionë euro për pjesëmarrjen në EXPO-n në Beograd në vitin 2027. Sipas Ismailit, këto para do të harxhohen për logo, karrige, dizajn dhe akomodime luksoze për promotorët.

“Kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie – arrogancë, luks dhe përçmim ndaj qytetarit të zakonshëm,” u shpreh ajo.

Për t’u përballur me krizën, Ismaili prezantoi një paketë masash emergjente, mes të cilave:

• Ulje e TVSH-së për produktet bazë dhe shërbimet shëndetësore;
• Subvencione për shtresat më të goditura nga kriza;
• Mbështetje për prodhuesit vendorë për sigurimin e ushqimit të mjaftueshëm;
• Ndalim i spekulimeve dhe kontroll real i çmimeve në treg.

“Shteti duhet të mbrojë qytetarin, jo të sillet si spektator i mjerimit që po përhapet,” tha ajo.

Ismaili paralajmëroi se kjo krizë po largon të rinjtë nga vendi, po varfëron pensionistët dhe po shtyn familjet drejt kolapsit. Ajo kërkoi nga qeveria përgjegjësi dhe llogaridhënie të menjëhershme.

“Koha për veprim është tani. Heshtja është bashkëfajësi. Ne do të ngremë zërin për dinjitetin e qytetarëve,” përfundoi ajo.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter