Koalicioni VLEN ka bërë të ditur se Ministria e Bujqësisë ka realizuar një tjetër cikël të rëndësishëm pagesash për fermerët, në kuadër të Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2024.
“Sot janë paguar 341.536.000,00 denarë për 4.144 persona,” thuhet në njoftimin publik të VLEN-it, i shoqëruar me moton “VLEN për bujqësinë!”.
Këto mjete janë ndarë si mbështetje direkte plotësuese për masën 2.2, që ka të bëjë me lopët e matrikuluara më të vjetra se 12 muaj.
“Ministria e Bujqësisë vazhdon me përkushtim realizimin e pagesave në mënyrë të drejtë dhe të rregullt për të gjithë fermerët,” theksohet më tej në deklaratë.
Ky zhvillim vlerësohet si një hap konkret drejt forcimit të sektorit bujqësor dhe blegtoral në vend, me qëllim që bujqësia të bëhet më e qëndrueshme dhe më fitimprurëse për prodhuesit vendorë.



