Rrënohet kujtesa shqiptare në Tetovë – ASH kërkon hetim për aferën e Monopolit

featured
Press Online
18 Qershor 2025, 15:07

Aleanca për Shqiptarët ka denoncuar sot një aferë të rëndë me përmasa kriminale në hapësirat e ish-Monopolit në Tetovë, duke akuzuar kryetarin e Komunës, Bilall Kasami, për përvetësim të pronës publike dhe manipulim të planit urbanistik në favor të interesave private.

Gjatë një konference për shtyp, përfaqësuesit e kësaj partie thanë se objekti historik i ish-Monopolit – simbol i rezistencës shqiptare dhe vend me vlera të mëdha kulturore – po rrënohet në mënyrë jotransparente dhe në kushte që rrezikojnë seriozisht shëndetin publik për shkak të shpërndarjes së pluhurit dhe materialeve të rrezikshme në ajër, pa asnjë masë mbrojtëse për qytetarët.

Sipas akuzave, parcela është shitur për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas është ndryshuar Plani Detal Urbanistik, duke e shndërruar tokën në zonë ndërtimore me vlerë të shumëfishuar. Kompania që ka blerë tokën, sipas të dhënave, ndodhet në prag falimentimi, gjë që shton dyshimet për një aferë të mirëfilltë korruptive.

“Ky është një rast flagrant i shpërdorimit të pasurisë publike për përfitime private, me pasoja të rënda për historinë, mjedisin dhe të ardhmen e qytetit,” thuhet në deklaratën e ASH-së.

Më alarmante është informata se gjatë punimeve në këtë hapësirë janë zbuluar eshtra që dyshohet se i përkasin viktimave të masakrës së vitit 1944 në Monopol – një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Aleanca për Shqiptarët e konsideron këtë si akt të papranueshëm dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, hetim të thelluar nga Prokuroria dhe verifikim të çdo gjetjeje me vlerë historike në këtë vend të shenjtë për kujtesën kolektive.

Partia gjithashtu hedh poshtë arsyetimin e Bilall Kasamit se ka ndjekur hapat e paraardhësve të tij. “Ata janë dënuar me votë, dhe po e njëjta gjë do t’i ndodhë edhe atij në zgjedhjet e tetorit,” theksohet më tej në deklaratë.

ASH apelon që kjo hapësirë të shfrytëzohet për një qëndër memoriale, një bibliotekë universitare, një park të gjelbër, ose një projekt tjetër publik në dobi të komunitetit, dhe jo për ndërtime shumëkatëshe që vetëm e ngulfatin qytetin.

“Tetova ka nevojë për më shumë frymë qytetare dhe histori, jo për më shumë beton.”

Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe ligjore ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter