Xhudistja e mirënjohur nga Kosova, Distria Krasniqi, ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare duke u shpallur nënkampione e Botës në kategorinë deri në 52 kilogramë në Kampionatin Botëror të Xhudos.
Trajneri Driton Kuka ka përgëzuar Disin për performancën e saj të jashtëzakonshme, teksa ka vlerësuar rrugëtimin e saj deri në finalen e madhe. “Preku finalen e madhe, ishte duke punuar mirë, por japonezja Abe shfrytëzoi një gabim – dhe kaq mjaftoi”, shkroi Kuka duke theksuar se edhe kjo sfidë ishte dëshmi e nivelit të lartë të Disit dhe përkushtimit të saj.
Kjo medalje është e 9-ta për Kosovën në histori të Kampionateve Botërore të Xhudos, një sukses i madh për një vend të vogël por me emër të madh në këtë sport.
Trajneri Kuka gjithashtu shfrytëzoi rastin për të theksuar sfidat me të cilat përballet Federata e Xhudos së Kosovës duke deklaruar:
“Ne do të ecim përpara, përkundër obstruksioneve të projekteve të federatës sonë. S’do ndalem asnjëherë – mos u habitni!”.
Urime Kosovë! Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë – një tjetër ditë krenarie në sportin ndërkombëtar! 🇽🇰🇦🇱