Mickoski paralajmëron Idrizin, nëse nuk flet edhe maqedonisht do të shkarkohet

featured

Kryeministri Hristijan Mickoski i dha karton të verdhë Arsim Idrizit, drejtorit të Inspektoratit të Gjuhëve, për shkak se gjatë një paraqitje para mediave në Kuvend refuzoi fillimisht të fliste gjuhën maqedonase. Mickoski ia tërhoqi vërejtjen Idrizit se nëse sërish flet vetëm shqip dhe jo edhe maqedonisht para mediave, do të shkarkohet.

“Nëse konkretisht mendoni në atë moment kur në kuadër të Parlamentit drejtori nuk është drejtuar në gjuhën maqedonase, unë bisedova dhe nuk pres që ajo të përsëritet. Nëse përsëritet, do të shkarkohet”, tha Hristijan Mickoski Kryeministër.

Deklarata e Mickoskit vjen pas paralajmërimit të zëvendëskryeministër për Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, i cili nga një emision televiziv garantoi se në seancën e sotme qeveritare, 99% Idrizi do të shkarkohet.

“Të martën në seancën e radhës sigurisht do të shkarkohet. Ky? Më garantoni? Po 99%. Nëse jo do të jepni dorëheqje nga Qeveria? Pse unë të jap dorëheqje? Tani ju nuk keni kësi koncesioni. Shihni, unë kam koncesion të ngrit iniciativë të shkarkohet menjëherë. Do ta ngritni? Po”, deklaroi Ivan Stoilkoviq, zëvendëskryeministër.

Nga koalicioni VLEN, çështjen e shohin si keqkuptim mes partnerëve, ndërsa deklaratën e Stoilkoviqit, Bilall Kasami e quan të përshpejtuar.

“Emërtimet e funksionarëve bëhen me propozim të partive të cilat i emërojnë dhe është marrëveshje e koalicionit. Mendoj se është një deklaratë e përshpejtuar. Sigurisht që gjithë procesi i bashkëqeverisjes është në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje të partnerëve të koalicionit”, tha Bilall Kasami, VLEN.

Situata për të cilën Idrizit i tërhiqet vërejtja, në fakt ka ndodhur para një javësh, respektivisht më 3 qershor, derisa Idrizi dhe punëtorët e Inspektoratit ishin në Kuvend për t’u takuar me koordinatorët e grupeve parlamentare që të tejkalohet problemin mungesën e rrogave, tanimë pesë muaj. Pas mbarimit të takimit, pjesëmarrësit dhanë deklarata. Fillimisht, Bekim Qoku nga VLEN dha deklaratë në shqip, ndërsa kërkesës së gazetarëve për t’ua thënë të njëjtën dhe maqedonisht iu përgjigj me fjalët se po ngutet.

“Me të vërtetë nuk kemi kohë, shpejtojmë shumë. Edhe herën e kaluar nuk kishit deklaratë në maqedonisht. Ok, ju faleminderit shumë”, deklaroi Bekim Qoku, koordinator i VLEN.

Më pas, deklaratë dhe edhe idrizi, i cili fillimisht refuzoi të japë deklaratë në maqedonisht.

“Unë mendoj se do të ketë… Ju lutem në maqedonisht nëse mundet. Pastaj do të ua përkthejnë kolegët. Jo, a do të përgjigjeni edhe në maqedonisht? Pasi ashtu është edhe ligji për Gjuhët. Po, por edhe ligji për gjuhët duhet të ketë përkthyes këtu”, u shpreh Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.

Mediat maqedonase, për këtë kanë reaguar, duke transmetuar vetëm këtë pjesë të situatës. E vërteta është se Idrizi, më pas u pajtua dhe u përgjigj ndaj të gjitha pyetjeve që iu parashtruan edhe në maqedonisht.

“Mirë, do të përgjigjem. Pyetja ishte a do të ketë… A morët garanci se problemi do të zgjidhet? Po absolutisht ishte takim konstruktiv mes nesh dhe grupet parlamentare, shpresoj se sa më shpejt të gjejnë zgjidhje pasi kjo është punë e grupeve parlamentare dhe deputetëve”, theksoi Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve. /Alsat.mk

Mickoski paralajmëron Idrizin, nëse nuk flet edhe maqedonisht do të shkarkohet
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.