Liderët e subjekteve politike akoma nuk i janë përgjigjur ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit për 14 herë radhazi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar liderët e partive politike në një takim të enjten, pas dështimit të 14-të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, deklaroi Kupina.
Paraprakisht Osmani kishte treguar gatishmëri për të pritur liderët e të gjitha partive politike në një takim gjithëpërfshirës.
“Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, kishin deklaruar nga Zyra e Presidencës.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas tre muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.
LVV-ja po vazhdon të insistojë që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare, dhe për këtë arsye, në seancat e fundit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka kërkuar nga partitë politike që të propozojnë nga një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.
Megjithatë, edhe kjo përpjekje e LVV-së ka dështuar.
Partitë politike e kanë vlerësuar Haxhiun si një “figurë përçarëse”.