Zgjedhjet në Turqi: Mbi 2 mijë qytetarë në Kosovë filluan procesin e votimit

featured
Press Online
06 Maj 2023, 19:57

rquNë Kosovë ka nisur votimi për shtetasit turq që jetojnë në këtë vend për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Turqi më 14 maj, përcjell KosovaNews.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë pritur në radhë për të votuar para Ambasadës së Turqisë në Prishtinë nga ora 9:00, kur u hapën kutitë e votimit.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se votimi në Kosovë do të zhvillohet më 6 dhe 7 maj, derisa bëri të ditur se të gjithë shtetasit turq që janë të regjistruar si votues të huaj mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Mendoj se do të ketë interesim të madh në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën. Këtë vit, në 151 zyrat tona përfaqësuese është e mundur të votohet në 73 shtete dhe ne e kemi rritur numrin e tyre në krahasim me vitin 2018. Shpresoj se do të jetë e dobishme për gjithë kombin tonë, vendin tonë”, theksoi Angılı.

Angılı po ashtu tha se pas përfundimit të procesit të votimit, votat do të barten në mënyrë të sigurt nga Kosova për në Stamboll me fluturimin e planifikuar të Turkish Airlines dhe nën vëzhgimin e përfaqësuesve politikë me të drejtë.

Zeki Korkut, shtetas turk që jeton në Kosovë, tha: “Ne do të bëjmë zgjedhjen tonë, ne jemi këtu për një të drejtë demokratike. Faleminderit dhe shpresoj se do të shkojë mirë”.

Sipas Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë (YSK), në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 qytetarë me të drejtë vote të cilët do të kenë mundësi të votojnë përgjatë dy ditëve në dy pika votimi në territorin e vendit: në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Prizren./AA/

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter