Haziri: Kurti do president që e përfaqëson atë e jo popullin

featured
Press Online
30 Prill 2026, 22:05

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nuk po i konvenon një presidente si Vjosa Osmani.

Haziri në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Kurti po kërkon një president që e përfaqëson atë e jo popullin.

Haziri ka thënë se Kurti në 5 vjetët e fundit i ka pasur të tri pozitat, por “me vetë faktin që u nda i pakënaqur me Vjosa Osmanin, ai po do që ta sanojë këtë pakënaqësi”.

“Nuk do që ta lejojë më një profil të Vjosa Osmanit me qenë në Presidencë. Kjo puna e zjarrfikësve është simbolikë. Një president që ushtron detyra të brendshme dhe nuk merret me probleme sistemore, politika sistemore. Por, profili i presidentit në Kosovë dallon prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut apo venE madhee tjera. Këpucët e mëdha të presidentit i ka vendosur Ibrahim Rugova. Askujt s’po i bëjnë ato, e krejt kanë qejf me qenë në profilin e tij”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se Vjosa e ka ushtruar të drejtën e vetë në Presidencë, si te çështjet e politikës së jashtme, garantimit të organeve të pavarur apo çështjet e sigurisë – gradimin e oficerëve e gjeneralëve, apo edhe emërimet e ambasadorëve.

“Mos të harrojmë presidenti i Republikës sipas Kushtetutës te ne është përfaqësues dhe nuk ka pushtet”, tha Haziri. “…Kurti e do një president që është përfaqësues i tij jo i popullit të Kosovës. Këtë çështjen e mbiemrit ‘zjarrfikës’ nuk e ka me shoqatë të zjarrfikësve. Osmani ka pasur disa faza politike ku është dashur të sillet si zjarrfikëse karshi BE-së, NATO-s dhe SHBA-së. Vjosa ka ushtruar rolin e zjarrfikëses politike…z. Kurti s’po e do këtë rol të Vjosa Osmanit. Kjo është ajo që e kemi parë ne…Ai e ka bërë këtë me veprim”.

Haziri: Ishim të gatshëm për të hyrë në sallë për të votuar për Osmanin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se 15 deputetët e saj kanë qenë të gatshëm që në mbrëmjen e 28 prillit të hynin në sallën e Kuvendit për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente.

Ai në “Konfront” të KTV-së ka thënë se LDK-ja i ka pasur 15 vota për cilindo kandidat të LDK-së për president.

“Parmbrëmë në 11 të natës ishte ftesa e fundit për seancë. 15 në 11 po të thoshte se jemi të gatshëm të bisedojmë, ne ishim të gatshëm të hynim në sallë ta votonim Vjosa Osmanin”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se megjithatë oferta e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit ka qenë që Osmani të kandidohej sa për të krijuar proces dhe të mundësohej gara dhe jo që ajo të zgjidhej presidente.

Haziri ka thënë se Kurti në takime nuk ka kërkuar emra. Ai ka deklaruar se kanë pritur nga Vetëvendosje që ta propozonte Osmanin për presidente. Sipas tij, gatishmëria te LDK-ja për Osmanin presidente ka qenë që prej ditës së parë apo takimit të parë me Kurtin.

I pyetur nëse edhe Avdullah Hoti do të votonte pro Osmanit edhe pse ishte shprehur kundër, Haziri ka thënë se edhe herën e kaluar Hoti ka qëndruar në sallë.

“Herën e kaluar nuk ka votuar, ka qenë korrekt. Kur thotë nuk votoj marr pjesë në proces, është gjysmë ndihmesë. Edhe herën e kaluar ka qëndruar në seancë. Nuk ka dalë. Vota kundër apo abstenimi është legjitim. Ne nuk i detyrojmë deputetët të japin votë me çdo kusht”, ka thënë Haziri.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter