Komiteti i Ministrave sot pritet ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE).
Pas shqyrtimit të aplikacionit nga ana e Komitetit të Ministrave, fjala përfundimtare i mbetet Asamblesë Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.
Pranimi i një anëtari të ri në KE bëhet në rast se shteti që aplikon siguron 2/3 e votave.
Edhe pse nuk është pjesë e Komitetit të Ministrave, deputeti ukrainas Oleksiy Oleksiyovich Goncharenko, ka thënë se do ta mbështesë me tërë fuqinë Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
“Sot do të jetë vendimi i parë i Komitetit të Ministrave dhe ne do të shohim se si kjo do të shkojë. Unë do ta mbështesë rastin e Kosovës në të gjitha mundësitë e mundshme me të gjithë forcën time”.
“Sot do të jetë takimi i Komitetit të Ministrave ku unë nuk jam anëtar. Unë jam anëtar i Asamblesë Parlamentare. Sot do të jetë takimi i Komitetit, unë shpresoj që vendimi do të jetë pozitiv”.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e së hënës.
Këtë e ka konfirmuar Rejhan Vuniqi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, duke shfaqur shpresën për zhvillime pozitive.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mbahet të hënën. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniqi.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.
Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës fillimisht duhet të trajtohet nga Komiteti i Minstrave, dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën e fundit e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.
Për pranim në Këshillin e Evropës duhen dy të tretat e votave.



