Kriza politike po i kushton shtrenjtë ekonomisë së Kosovës

featured
Press Online
02 Maj 2026, 14:07

Kriza politike dhe shkuarja drejt zgjedhjeve të reja po rrisin ndjeshëm pasigurinë për ekonominë e Kosovës, duke vënë në rrezik stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Ky vlerësim u bë në një takim të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) me përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, dhe kryetari i Kuvendit të DHTIK-së, Hamdi Malushaj, theksuan se, pavarësisht sfidave të shumta që nga fillimi i vitit të kaluar, Dhoma ka qenë vazhdimisht aktive në adresimin e çështjeve kyçe të sektorit privat, duke promovuar si sukseset, ashtu edhe problemet me të cilat përballen bizneset.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, paralajmëroi se ciklet e shpeshta zgjedhore po prodhojnë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë.

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri për investimet. Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”, ka thënë ai, sipas njoftimit nga DHTIK-ja.

Përfaqësuesit e bizneseve ngritën shqetësime konkrete, përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, varësinë e lartë nga importi, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat në vendimmarrje.

“Ata nënvizuan rolin e DHTIK-së si një zë i fuqishëm i bizneseve, duke lobuar për zgjidhje konkrete, propozuar politika lehtësuese, si dhe duke ndërmjetësuar komunikimin ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të takimit, u theksua se stabiliteti politik mbetet parakusht thelbësor për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Kosova do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor. Është herë e pestë në 16 muaj që qytetarët do të dalin të votojnë, nëse llogariten edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter