Ministri Aliu: Tani fillon intervenimi në mirëmbajtjen e rrugëve

featured

Tashmë seanca e Kuvendit të Kosovës ka kaluar në pikën e parashtrimit të pyetjeve parlamentare, ku deputetëve u përgjigjen ministrat përkatës, varësisht nga tema.

Deputeti Driton Hyseni nga LVV, ngriti çështjen e mirëmbajtjes së dobët të akseve rrugore në vend, duke përmendur rrugët Prishtinë-Podujevë, pastaj Prishtinë-Gjilan, e tjetrën Gjilan-Kamenicë, etj.

Ai tha se këto rrugë tashmë janë bërë me gropa shumë të thella e që paraqesin rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion.

Ai pyeti ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, se si qëndron puna me mirëmbajtjen e këtyre rrugëve dhe se sa janë të përgjegjshme kompanitë e kontraktuara.

Nga ana e tij, ministri Aliu tha se kontratat dimërore e verore për mirëmbajtjen e rrugëve për rajonin e Gjilanit dhe Prishtinës, tashmë janë nënshkruar dhe me përfundimin e dimrit, janë krijuar kushtet për mirëmbajtjen  e rrugëve.

Aliu tha se tashmë kanë filluar intervenimet në mirëmbajtjen e këtyre rrugëve.

“Kemi pasur probleme derisa janë nënshkruar këto kontrata sepse ka pasur shumë ankesa në Organin e Shyrtues të Prokurimit  Publik”, tha ministri.

Megjithatë, deputeti Hyseni tha se përshtypja e përgjithshme është se riparimi i rrugëve, sidomos asaj Prishtinë-Podujevë është duke vazhduar me ritëm shumë të ngadaltë.

“Edhe kur vjen puna tek kualiteti i intervenimeve nuk është ai që përmbushë nevojat për të pasur rrugë shumë cilësore”, tha deputeti Hyseni.

Ministri Aliu: Tani fillon intervenimi në mirëmbajtjen e rrugëve
|