Ibishi: Vuçiqi si një “Putin i vogël”, s’ka guxim ta sulmojë Kosovën

featured
Press Online
12 Prill 2023, 17:49

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po operon si një “putin i vogël” në Ballkan, nëpërmjet krijimit të tensioneve. Ai deklaroi të mërkurën se Vuçiqi s’e ka guximin ta sulmojë Kosovën nga jashtë, por nëpërmjet forcave ekstremiste serbe, po përpiqet të bëjë luftë hibride.

“Vuçiqi e ka konceptin e Putinit të vogël në Ballkan. Ai e di se s’ka guxim ta sulmojë Kosovën nga jashtë, por t’i fusë forcat e ekstremistëve serbë me qëllim të luftës hibride, duke i armatosur dhe duke i trajnuar”, deklaroi ai.

Sipas Ibishit, Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet në aspektin e sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri, por kjo sipas tij, s’duhet të kryhet me nguti. Ai tha se Kosova duhet të jetë e kujdesshme.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, i kemi të gjitha institucionet funksionale. Kemi mbështetje edhe të bashkësisë ndërkombëtare s’duhet të ngutemi. Duhet të bëhet vlerësimi i sigurisë dhe të mos ngutemi t’i mbajmë me çdo kusht zgjedhjet”, tha Ibishi në KTV.

Ai shtoi se autoritetet e sigurisë i kanë mbyllur rrugët ilegale në veri ku bëhej kontrabanda, e kjo siç tha ai, është veprim i mirë për mbarëvajtjen e sigurisë. Por, për Ibishin, problematike mbetet prezenca e ekstremistëve serbë në veri, që siç tha ai, po iu shkaktojnë frikë qytetarëve serbë në Kosovë.

“Kjo tregon se (serbët v.j.) janë në trysni të vazhdueshme të ekstremistëve. Ekstremistët serbë me Vuçiqin do të vazhdojnë të bëjnë dekonstruksione. Nga ana jonë janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por duhet të mendojmë mire të mos futemi në një situatë të paqartë”, shtoi ai.

Për plagosjen e një serbi në veri nga Policia e Kosovës, Ibishi tha se ishte lëshim i Policisë që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. Ai tha se tash mbetet të qartësohet sfondi i ngjarjes, nëse plagosje kishte ndodhur si shkak i mospërfilljes së urdhrit policor.

“Ky është rast i veçuar, Policia deri më tash ka qenë e përmbajtur. Ka vepruar shumë guximshëm duke i përfill detyrimet ligjore. Çuditërisht ndodhi një rast i tillë i paprecedentë…Kjo tregon se duhet të punohet shumë në të ardhmen që të mos ketë veprime të tilla përsëri. Duke parë raportet shohim se i plagosuri s’është në rrezik në jetë, por Policia duhet të jetë e përgjegjshme kur përdor armët”, shtoi ai.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter