Ndërtesa në numrin 3 të rrugës Savile Row në Londër, ku grupi legjendar “The Beatles” mbajti koncertin e tij të fundit publik më 30 janar 1969, do të shndërrohet në një muze kushtuar historisë dhe trashëgimisë muzikore të katërshes britanike, shkruan repubblica.it.
Hapja për publikun parashikohet gjatë vitit 2027, ndërsa muzeu do të shtrihet në shtatë kate, ku do të ekspozohen materiale arkivore, fotografi, dokumente dhe dëshmi që pasqyrojnë rrugëtimin e grupit që ndryshoi historinë e muzikës botërore.
Një nga hapësirat që pritet të tërheqë më shumë vizitorë është studioja në bodrum, ku “The Beatles” punuan për regjistrimet e albumit “Let It Be”.
Megjithatë, pika kulmore e vizitës do të jetë tarraca e ndërtesës, ku katër muzikantët zhvilluan koncertin spontan rreth 42-minutësh, duke surprizuar kalimtarët dhe punonjësit e zonës.
Më 30 janar 1969, tingujt e këngëve të njohura “Get Back”, “Don’t Let Me Down” dhe “I’ve Got a Feeling” pushtuan rrugët e Londrës, deri kur policia ndërhyri për të ndërprerë performancën pas ankesave për zhurmën.
Ndërtesa shërbente si selia londineze e Apple Corps, kompanisë së themeluar nga vetë grupi.
Kthimi i saj në muze synon të ruajë një prej momenteve më të veçanta të historisë së muzikës, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të qëndrojnë në të njëjtin vend ku “The Beatles” dhuruan një koncert të pazakontë, pa bileta, pa skenë dhe pa një publik të organizuar paraprakisht.



