Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj.
Gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian , Kos u shpreh se pritet që deri në fund të këtij viti të mbyllet një e katërta e kapitujve të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Kos vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike, institucioneve dhe shoqërisë civile për të çuar përpara procesin e integrimit, duke theksuar se reformat duhet të kenë mbështetje të gjerë për të qenë të qëndrueshme.
“Do duhen rrymat e ndryshme të politikës dhe të shoqërisë shqiptare të bashkojnë forcat dhe jo thjesht të zhvillojnë debate për të përmbushur aspiratat tuaja europiane. Kjo do t’u japë reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë që u nevojitet për të qenë të qëndrueshme në kohë”, deklaroi Kos.
Komisionerja Kos theksoi se viti që po lëmë pas ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e reformave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Keni ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky është themeli për të ndërtuar besimin e shteteve tona anëtare, i cili është i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses negociatat dhe për të siguruar miratimin e të 27 shteteve anëtare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Kos.
Komisionerja Kos nënvizoi se Shqipëria ka një avantazh thelbësor, faktin që shumica dërrmuese e shqiptarëve, pra qytetarët shqiptarë, mbështetin anëtarësimin në BE.
“Mbështetja e qytetarëve shqiptarë është më e larta në të gjitha vendet kandidate. Kjo mbështetje e gjerë publike ju jep ju mandatin politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe për ta ruajtur këtë mbështetje dhe për të përmbushur pritshmëritë e publikut, është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në këtë process”, vijoi ajo.
Kos u shpreh se “një moment i tillë historik duhet të sjellë dialog ndërmjet të gjitha aktorëve politikë në Shqipëri”.
“Protestat e paqshme janë pjesë e proceseve demokratike. Komisioni Evropian nuk merr anë në diskutimin e brendshëm politik në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që standartet që kërkohen për anëtarësimin në BE të përmbushen.Të bëhesh shtet anëtar në BE do të thotë të bëhesh pjesë e një komuniteti demokracish dhe kjo nuk mund të matet thjesht vetëm me përmbushjen e rregullave të BE-së, sepse disa nga shqetësimet që janë ngritur nga protestat e fundit janë të lidhura ngushtësisht me negociatat e anëtarësimit dhe ne do të bëjmë patjetër të pamundurën, pjesën tonë, për t’i trajtuar ato”, tha Kos.



