Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar Sistemin Unik të Gjobave, përmes të cilit qytetarët do të njoftohen për çdo masë administrative në platformën e-Albania.
Gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve publike, Rama ka thënë se sistemi i ri do t’i japë fund praktikës së vendosjes së gjobave në letër.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha gjobat do të regjistrohen në një databazë të përbashkët, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi t’i kontrollojnë, paguajnë dhe apelojnë ato përmes telefonit.
“Çdo qytetari i jepet mundësia të kontrollojë në e-Albania gjobat që ka. Po ashtu, gjobat do të mund të paguhen nga telefoni dhe të apelohen po ashtu nga telefoni”, ka deklaruar Rama.
Sipas TCH, kreu i Qeverisë shqiptare ka njoftuar edhe një tjetër masë, atë të pajisjes së policëve dhe inspektorëve në terren me kamera trupore.
Sipas tij, kamerat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës, me qëllim monitorimin e punës së zyrtarëve dhe sjelljes së tyre ndaj qytetarëve.
Rama ka thënë se këto ndryshime synojnë rritjen e transparencës dhe eliminimin e gjobave që shqiptohen pa gjurmueshmëri.
“Sigurisht që praktikisht kjo përmbyll një proces jo të lehtë, sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu dhe dua të shtoj që së shpejti do të fillojë projekti për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi që do të jenë aktive gjatë gjithë kohës. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren dhe të shihet sjellja e tyre me qytetarin dhe të vlerësohen edhe situatat në kohë reale kur është nevoja për ndihmë.”, ka deklaruar Rama.



