Kina paralajmëroi sot se mund të ndërmarrë “masat e nevojshme” pas njoftimit të Uashingtonit për vendosjen e tarifave të reja doganore, të cilat rrezikojnë të tronditin armëpushimin e brishtë në luftën tregtare mes dy vendeve, që skadon më 10 janar.
SHBA ka propozuar një tarifë prej 20 për qind për mallrat kineze, duke paralajmëruar se ajo mund të dyfishohet në 40 për qind.
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë, He Yadong, i kërkoi Uashingtonit të korrigjojë praktikat e tij dhe t’u rikthehet negociatave përmes dialogut.
Ai theksoi se Pekini do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe rezervon të drejtën të marrë masa për të mbrojtur interesat e tij legjitime.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht suficitin e madh tregtar të Kinës me SHBA-në, ndërsa tarifat e vendosura gjatë mandatit të tij të dytë kanë nxitur një përshkallëzim të masave reciproke, ku disa prej tyre arritën deri në 145 për qind.
Armëpushimi tregtar mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, i arritur në tetor 2025, u zgjat në shtator me dy muaj, deri më 10 janar.
Në kuadër të marrëveshjes, Kina pranoi të blinte më shumë sojë dhe produkte të tjera bujqësore amerikane, si dhe të pezullonte për një vit kufizimet mbi eksportin e mineraleve të rralla.
Megjithatë, kohët e fundit të dyja palët kanë shprehur pakënaqësi për veprimet e njëra-tjetrës.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se vazhdimi i përparimit në marrëdhëniet tregtare varet nga rezultate konkrete dhe se Uashingtoni do të vlerësojë zbatimin e marrëveshjes nga Kina.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri kinez He Lifeng shprehu shqetësime serioze për masat kufizuese ekonomike dhe tregtare të SHBA-së.
Trump dhe Xi u takuan javën e kaluar në një samit rajonal në Shenzhen dhe pritet të takohen sërish në dhjetor, gjatë samitit të G20-s në Shtetet e Bashkuara.
Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, deklaroi se tarifat e reja janë brenda kuadrit të negociatave ekzistuese me Pekinin. Sipas tij, Kina e kupton se SHBA do të mbajë një nivel të caktuar tarifash, ndërsa Uashingtoni po ofron përjashtime për mallra kineze me vlerë rreth 30 miliardë dollarë.
Ekspertja Dan Wang nga grupi Eurasia vlerësoi se përshkallëzimi i tarifave nuk është surprizë për Pekinin dhe është kthyer në një model që përsëritet përpara takimeve të rëndësishme mes dy liderëve.


