Vrasja e Arlindës Sylaj Zekaj, një ngjarje e rëndë që ka tronditur thellë shoqërinë, ka rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës në familje dhe nevojën për mbrojtje të menjëhershme për viktimat.
49-vjeçarja, e cila dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, kishte raportuar për dhunë dhe kishte kërkuar ndihmë para se të ndodhte tragjedia. Kjo ngjarje e tmerrshme ka bërë që shumë njerëz të shprehin shqetësimin e tyre për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Një nga ata që ka reaguar me forcë është këngëtari i njohur Yll Limani. Ai ka shprehur dhimbjen dhe zemërimin e tij për këtë rast përmes katër postimeve në InstaStory, duke theksuar se është e papranueshme që një grua të humbasë jetën në këtë mënyrë.
Ylli ka ndarë lajmin e vrasjes së Arlindës dhe ka rikujtuar se ajo kishte bërë kërkesa për ndihmë, duke e bërë situatën edhe më tragjike. Ai ka publikuar gjithashtu letrën e Arlindës, e cila dyshohet se i ishte dërguar Prokurorisë vetëm tri ditë para vrasjes.
Në këtë letër, Arlinda shprehte frikën për jetën e saj dhe paralajmëronte për pasojat e mundshme nëse institucionet nuk vepronin. Fjalët e saj janë një thirrje për përgjegjësi dhe veprim nga ana e autoriteteve.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhet në letrën e saj.
Reagimi i Yll Limanit është një reflektim i ndjenjave të shumta që kanë përfshirë publikun. Ai ka theksuar se është e rëndësishme që rasti i Arlindës të mos harrohet dhe që çdo zyrtar që ka dështuar të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.
Artisti ka kërkuar që çdo grua që raporton dhunë të marrë mbrojtje të menjëhershme, duke theksuar se rreziku për jetën e tyre duhet të merret seriozisht. Ai ka shprehur gjithashtu dhimbjen e tij për humbjen e Arlindës dhe ka dërguar ngushëllimet e tij për familjen e saj.
“Jom i pikëllum dhe i revoltum që sot po i lexojmë fjalët e Arlindës tu e dit që ajo s’osht ma. Ngushëllime familjes. Arlinda e meritonte me e vazhdu jetën e saj 💔”, ka shkruar Yll Limani.
/Prive By LS



