Një grup hulumtuesish të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) morën pjesë në konferencën shkencore mbarëkombëtare me temë “Studiues të huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera shqiptare”, e cila u mbajt më 24 dhe 25 tetor 2026, në Luginën e Preshevës, nën organizimin e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës.
Në këtë konferencë, hulumtuesit e ITSHKSH-së u paraqitën me kumtesat e tyre shkencore: Minir Ademi, me temën “Pikëpamjet e James Pettiferit rreth luftës së fundit në Kosovë (1997–1998)”; Shejnaze Ajdini-Murtezi, me temën “Njësitë frazeologjike në fjalorin shqip-frëngjisht të Auguste Dozonit (1879): Trajtimi leksikografik dhe ekuivalenca përkthimore”; Idaete Sinani, me temën “Petar Skok – një vështrim gjuhësor mbi të folmen e shqiptarëve të Luginës së Shkupit”; Ardian Ramadani, me temën “Vështrime franceze për figurën dhe veprën e Ismail Kadaresë”, si dhe Laura Papraniku Bejtullau, me temën “Ishtvan Shyc, një mik me besë i shqipes dhe shqiptarëve”.
Konferenca mblodhi studiues nga gjithë hapësirat shqiptare, të cilët trajtuan kontributin e studiuesve të huaj në ndriçimin e historisë, gjuhës, letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Pjesëmarrja e hulumtuesve të ITSHKSH-së në këtë aktivitet shkencor dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit në avancimin e kërkimeve shkencore, promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha të ndryshme.

